Ish-deputeti i Parisë Demokratike, Luçiano Boçi ka reaguar lidhur me grafikun e publikuar nga ministrja e Arsimit Evis Kushi, sipas së cilës, pagat e mësuesve janë rritur gjatë qeverisjes socialiste.

Përmes një postimi në “Facebook”, Boçi ka sqaruar pse kjo qeveri jo vetëm që nuk ka rritur pagat për arsimtarët, por u ka hequr edhe disa privilegje që kanë patur më pare.

Sipas tij, kryeministri Edi Rama kërkon me patjetër t’u mbushë mendjen që kanë në xhep më shumë lekë se ç’u duket.

Postimi i plotë:

TALLJE ME GRAFIK! Kryeministri dhe Ministrja e arsimit kanë lëshuar talljen e fundit për mësuesit. Me një grafik, sipas grafikut (agjendës) personal të Ramës e ministres. Çështje tradite. Rama me Nikollën p.sh e kishin grafikun e talljes një herë në muaj. I hiqnin nga puna, i përçmonin, i detyronin mësuesit të mbushnin vandakë me letra pa vlerë, të paguanin lekë për kualifikime, etj. Në fund i fusnin një letër dashurie të përmjerë, për t’u shkri në lot të qeshurash, për t’i mashtruar. Pastaj Rama me Besën nga zelli e bënë një herë në dy javë grafikun. Madje gjatë pandemisë dhe njëherë në javë me video selfie. I mësonin mësuesit, pa qenë asnjë ditë mësimdhënës, si t’i mësonin nxënësit.

Ndërsa Rama-Kushi, meqenëse nuk kanë shumë kohë në dispozicion,  e bëjnë kohë pa kohë, por me dopje grafik. Edhe kështu edhe ashtu.  Si t’i dalë dhe sipas humorit të vetë kryemësonjësit të saj Ramë.

Madje Rama si kryetallës dhe ministreshat e Rilindjes në këto vite, i ka futur në garë se kush është tallur më shumë me mësuesit dhe si.

E ka tregues të performancës këtë.

Po të pyesësh Nikollën, ajo pretendon që është kampione, se çfarë nuk i punoi. Qindin u punoi në fakt bashkë me Ramën e vet.

Besa po kështu bërtet. I ngjan Ramës. Por ajo më shumë tallte veten në tentativë për të tallur mësuesit.

Ndërsa Kushi është më e rafinuar dhe më e zellshme pas direktivës së Ramës.

I tall duke i marrë që në fillim “me të mirë” e “duke i treguar arat”.

Ose p.sh, i kërkon të luajnë lojën “tek a çift” me mësimin online, ose lojën “me do, s’më do” me mësimin në klasa.

Po talljen më të paturpshme Rama-Kushi e kanë bërë me grafikun e rritjes së pagës.

Rama kërkon t’u mbushë mendjen me zor atyre, se kanë në xhep më shumë lekë se ç’u duket. Abrakadabra. Mashtrim epik. Si të gjitha mashtrimet e Ramës në këto vite.

Rama gjen ministren-ekonomiste plani pa plan dhe bashkë bëjnë shigjeta kacafiu.

Por e vërteta është ndryshe. Rama është mashtrues.

– Gjatë 8 viteve qeverisje rilindase, Rama nuk e balancoi asnjëherë pagën e mësuesit me normën e infalcionit, siç shteti e ka detyrim. Afërsisht kjo rritje duhet të ishte 2% në vit. Kjo përqindje në 8 vite kalon çdo përqindje të pretenduar për rritje.

– Mësuesve për 8 vite Rama i refuzoi pagën e 13-të dhe shpërblimin në fund të vitit. Nëse e llogarisim pagën mesatare bruto 65.800, për 8 vite, çdo mësuesi i është grabitur nga Rama 5 milion e 264 mijë lekë.

– Mësuesve nuk iu rishikua norma mësimore dhe nuk iu paguan orët suplemtare nga Rama.

– Mësuesve nuk iu akordua asnjë shpërblim në formë vlerësimi gjatë pandemisë po nga Rama. Në Kosovë morën 400 euro plus.

– Mësuesve  nuk iu dha asnjë paketë financiare nga Kryeministri mashtrues, për të përballuar kostot e internetit e pajisjeve smart për mësimin online dhe protokolleve të sigurisë. I blenë të gjitha me pagën e tyre, deri dhe detergjentët për larjet e ambienteve të klasave.

– Mësuesit blejnë sot më shumë letra për hesap të shkollës e më pak ushqime e veshje për hesap të shtëpisë falë Ramës, për shkak të rritjes së çmimeve disa fish.

– Paga reale e mësuesit sot është më e vogël se ajo para 8 viteve, sepse ai blen më pak artikuj dhe me cilësi më të ulur, përsëri falë Ramës, për shkak të rritjes së kostos së jetesës.

– Mësuesit janë pjesa më e mashtruar dhe e keqpërdorur nga Rama dhe keqqeverisja e tij.

Stop mashtrimeve dhe talljeve me grafik e pa grafik të Ramës & ministreshave të tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *