Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi gjatë një prezantimi në Komisionin e Sigurisë Kombëtare në Kuvend konfirmoi se në buxhetin e vitit 2023 të Ministrisë së Brendshme janë parashikuar 7.6 herë më shumë investime në teknologji krahasuar me vitin 2022.

 

Çuçi tha se me fonde të vetë ministrisë janë 547 milionë lekë ndërsa me fonde të AKSHIT janë 278 milionë lekë. Sipas tij rritja e fondeve për teknologjinë dhe sistemet dixhitale ka ardhur pas sulmeve kibernetike nga Irani.

 

“Pavarësisht se jemi në një situatë të vështirë të diktuar nga efektet e krizës që ka prodhuar lufta në Ukrainë, me kryefjalë energjinë, e ku inflacioni i rritur kërcënon ekonomitë e shumë vendeve, përfshi edhe ekonominë tonë, ia kemi dalë mbanë që Buxheti i vitit 2023 për Ministrinë e Brendshme të jetë më i lartë se i vitit që po mbyllet. Ne kemi alokuar pjesën më të madhe të buxhetit për Policinë e Shtetit, plot 19.5 miliardë lekë ose një rritje 16% krahasuar me buxhetin e vitit 2022. Si asnjëherë më parë investimet në Policinë e Shtetit, të cilat zënë pjesën më të madhe në buxhetin e Ministrisë së Brendshme, do të jenë në masën 56% më shumë se viti aktual. Fokusi me këtë buxhet të ri është edhe më i përqendruar tek përmirësimi i infrastrukturës teknologjike dhe sistemeve dixhitale me standardet me të mira dhe rritjen e parametrave të sigurisë kibernetike për të parandaluar dhe përballuar sulmet apo incidentet kibernetike”, tha ministri Çuçi.

 

Ministri i Brendshëm u ndal gjithashtu edhe tek rritja e pagave për rreth 75% të trupës policore.

 

“Kemi bërë një rritje prej 15% nga e cila përfitojnë jo pak por rreth 75% e trupës policore. Kjo është një rritje dyfish më shumë krahasuar me pjesën tjetër të administratës që përfitoi vetëm 7%, por plotësisht e justifikuar sepse punonjësit e Policisë së Shtetit përballen me vështirësi të jashtëzakonshme për të garantuar jetën dhe pronën e qytetarëve”, tha ministri Çuçi.

 

Po kështu gjatë vitit 2023 janë parashikuar edhe rreth 110 milionë lekë për ngritjen e një strukture të re për të rritur sigurinë dhe kontrollin në zonat bregdetare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *