Subscribe

Skandali i rradhës i sistemit TIMS ka përfunduar në Prokurorinë e Tiranës. Kallëzimi pranë organit të akuzës është bërë nga Agjencia e Mbykqyrjes Policore në lidhje me akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe dyshime për ndërhyrje në mënyrë të paautorizuar në sistemet e Policisë së Shtetit.

 

Kallëzimi nuk është regjistuar pasi pritet që ditën e hënë të hidhet shorti i cili do të përcaktojë se kush prokuror do të hetojë dosjen.

 

Më heret, drejtori i Departamentit të Teknologjisë dhe Informaciont pranë Policisë së Shtetit, Ervin Muça, u pezullua nga detyra me urdhër të drejtorit të përgjithshëm në lidhje me këtë skandal.

 

Burimet bëjnë me dije se Muça kishte urdhëruar vartësit e tij të eksportonin të dhënat e TIMS në një harddisk të jashtëm. Ishte një nga punonjësit që menjëherë përmes një email-i vendosi në dijeni Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë duke ngritur shqetësimin se këto të dhëna po dalin jashtë institucionit.

 

Ka dyshime se Muça mund të ketë bashkëpunuar edhe me persona të tjerë për marrjen e të dhënave sensitive ku përfshihen të gjitha hyrjet dhe daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj si dhe informacionet për personat e shpallur në kërkim.

 

Kallëzimi i AMP vjen pas shqetësimit të ngritur më heret nga Ambasada Amerikane. Në një takim të të ngarkuarit me punë të Ambasadës Amerikane në Tiranë Martin McDowell me ministrin e Brendshëm Taulant Balla, u ngrit shqetësimi në lidhje me shkeljet në sistemin TIMS, për të cilat u kërkua një hetim i plotë.

 

Nga ana tjetër ministri Balla nuk është shprehur publikisht në lidhje me këtë skandal, madje ai e anashkaloi këtë cështje edhe në publikimin e takimit me diplomatin e Ambasadës Amerikane, duke përmendur vetrëm çështjet e sigurisë, por nuk përmendi skandalin e TIMS.

 

Kjo është hera e dytë që sistemi i TIMS përfundon në Prokurorinë e  Tiranës. Më heret është hetuar në lidhje me sulmet kibernetike të hakerave iranianë, por kësaj here dëmi dhe shkeljet dyshohet se janë kryer nga brenda rradhëve të policisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *