Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka bërë thirrje të gjithë spektrit politik në Kosovë për një takim të përbashkët ku do të diskutohej çështja e tarifës ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjes.

 

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Pacolli ka ftuar të gjithë udhëheqësit politikë në Kosovë, duke përshirë edhe partnerët e koalicionit qeverisës, që të kenë parasysh kërkesat e miqve ndërkombëtarë për heqjen e taksës 100 për qind për produktet e Serbisë dhe të Bosnje Hercegovinës.

 

Ai ka shkruar se partnerët e koalicionit duhet të jenë së bashku e jo të ndarë.

 

“Ne duhet të gjejmë zgjidhjen e duhur, që të respektojmë çdo kërkesë të miqve tanë e që janë në interesin tonë. Ne, gjithë institucionet tona duhet të flasim me një zë si na kërkoi Presidenti Trump. Këto letra brenda një kohe kaq të shkurtër, mesazhet e tyre në përputhshmëri me njeri tjetrin, janë rast që ne të forcohemi mes vete dhe jo të ndahemi”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *