E premte, 13 Nëntor 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

Osmani: Kemi përmbushur kushtet për ta fituar statusin e vendit kandidat për në BE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se shteti ka përmbushur të gjitha kushtet që ta fitojë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimit Evropian.

Këtë deklaratë ajo e bëri gjatë takimit të parë me shefin e ri të Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE në fund të vitit 2022 dhe është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk e ka statusin e vendit kandidat.

Në Raportin e fundit të Progresit të Komisionit Evropian u tha se Kosova ka bërë “përparime të kufizuara” në përmbushjen e standardeve të nevojshme për t’iu bashkuar BE-së.

Reklamë

Në takimin ndërmjet Osmanit dhe Oravit u diskutua edhe për zhvillimet e fundit, përfshirë ato të sigurisë, njoftoi Presidenca e Kosovës.

Së fundi, Qeveria e Kosovës është përballur me kritika nga bashkësia ndërkombëtare pas disa veprimeve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe. Më 30 gusht, Policia e Kosovës mbylli pesë institucione paralele serbe, që konsiderohen të paligjshme në Kosovë.

Ky aksion u kritikua ashpër nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, të cilat e cilësuan si veprim të njëanshëm dhe të pakoordinuar.

BE-ja tha se ky aksion “vë në rrezik situatën e brishtë të sigurisë në terren”./rel

Vazhdo të lexosh

Reklamë