Osmani e Kurti akuzojnë Beogradin, Lista Serbe pranon se mundësoi dështimin e votimit për largimin e kryetarëve
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani reagoi pas dështimit të procesit zgjedhor në katër komunat veriore në veri të vendit për të shkarkuar kryetarët shqiptarë. Osmani tha se qytetarët nuk e shfrytëzuan mundësinë ndërsa bëri me faj Beogradin zyrtar.
“Për fat të keq, kjo kryesisht ndodhi për shkak të presionit të Beogradit, të ekzekutuar nga Lista Serbe dhe strukturat ilegale kriminale. Edhe njëherë Serbia kreu ndërhyrje të paligjshme në një proces zgjedhor të një shteti tjetër. Edhe njëherë, Vuçiçi shkeli fjalën që ua kishte dhënë partnerëve ndërkombëtarë”, tha Osmani.
Kryeministri Albin Kurti tha se nuk ka vullnet për të shkarkuar kryetarët aktualë, por sipas tij qeveria e Kosovës e bëri detyrën duke iu përgjigjur kërkesës së ndërkombëtarëve.
“Mundësimi i shkarkimit të kryetarëve aktual dhe mbajtja e zgjedhjeve ishin kriter kyç për largimin e masave ndaj Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian. Këto masa të padrejta, pas votimit të sotëm, duhet larguar sa më parë”, tha Kurti.
Po ashtu ambasada Amerikane shprehu keqardhje për bojkotin që iu bë votimit për largimin e kryetarëve. Nga ana tjetër Lista Serbe pranoi se ndikoi në bojkotin e zgjedhjeve, ndërsa i quajti ato një farsë.
“Dita e dielë tregoi një shkallë të lartë të unitetit të popullit serb, i cili qëndroi konsistent ndaj vetvetes, por edhe dëshmoi se nuk është Lista Serbe dhe Serbia që po i frikësojnë serbët, por Kurti dhe njësitë e tij ilegale, gjë që rezultoi në rrugë të zbrazëta të veriut”, u shpreh Lista Serbe.
Sipas autoriteteve në Kosovë, në zgjedhjet e të dielës morën pjesë 253 nga më shumë se 46 mijë qytetarë me të drejtë vote e si pasojë kryetarët shqiptarë do të vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë. /vizionplus.tv




