Subscribe

Izraeli është vendi i parë në botë që ka nisur tashmë aplikimin e dozës së tretë përforcuese të vaksinës tek moshat 60 vjeç e lart. Një numër i konsiderueshëm vendesh në Europë gjithashtu kanë paralajmëruar se do të nisin nga muaji shtator. Por Organizata Botërore e Shëndetësisë e kundërshton këtë vendim në kohën kur vendet e varfra janë ende duke pritur të sigurojnë dozat e para.

 

Shefi i organizatës, Tedros Adhanom u shpreh se fushatat e vaksinimit përforcues duhet të pezullohen të paktën deri në fund të shtatorit, kur 10 për qind e popullsisë mund të jetë e vaksinuar.

 

TEDROS ADHANOM GHEBREYESUS

DREJTOR I PERGJITHSHEM, OBSH

“Shtetet me të ardhura të larta kanë dhënë 100 doza vaksinash për 100 banorë. Në të njëjtën kohë, shtetet me të ardhura të vogla kanë dhënë 1.5 doza për 100 persona, sepse kanë mungesë të tyre. Ne duhet të ndryshojmë këtë gjë urgjentisht, në mënyrë që shumica e vaksinave të ndahen për vendet me më pak të ardhura, dhe jo për ato më të pasurat.”

 

 

Organizata Botërore e Shëndetësisë po ashtu rekomandon qe nënat e vaksinuara të vazhdojnë të ushqejnë me gji foshnjat e tyre, pasi vaksina nuk përbën rrezik dhe se antitrupat në qumësht mund t’i ndihmojnë për t’u mbrojtur nga infeksioni.

 

Ndërkohë në SHBA, ekspertët obstetrikë rekomandojnë të gjitha gratë shtatzëna të vaksinohen kundër koronavirusit. Sipas tyre, të dhënat e marra gjatë muajve të fundit nga dhjetëra-mijëra gra shtatzëna kanë treguar se përdorimi i vaksinave kundër COVID-19 është i sigurt.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *