Subscribe

Misioni i OSBE/ODIHR në Shqipëri do t’u kërkojë shteteve anëtare të OSBE-së që procesi zgjedhor i 18 qershorit të monitorohet nga 30 vëzhgues afatgjatë dhe 300 afatshkurtër. Misioni për vlerësimin e nevojave në zgjedhje ndodhej ne Shqipëri per nje periudhe tre ditore, per te vlerësuar përgatitjet zgjedhore pati takime me përfaqësues të institucioneve dhe partive politike. Kërkesa e përfshirë në raportin e misionit, vjen pasi zgjedhjet konsiderohen tepër të rëndësishme e që mbahen në kontekstin e një ndarjeje të thellë mes koalicionit qeverisës së drejtuar nga socialistët dhe opozitës së drejtuar nga demokratët.

 

“Që nga shkurti Partia Demokratike ka bojkotuar parlamentin dhe po mban protesta, duke kërkuar një qeveri teknike, që do të krijonte kushtet për zgjedhje të besueshme. Qeveria nuk e ka plotësuar këtë kërkesë dhe e kritikon opozitën se po bllokon padrejtësisht reformat e nevojshme. Shumë bashkëbisedues kanë shprehur shqetësim se situata aktuale politike dhe mungesa e dialogut mund të minojne zhvillimin e zgjedhjeve.”

 

Raporti tërheq vëmendjen se nuk janë përmbushur të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.

 

“Procesi i një reforme të re elektorale nisi në vitin 2015, por konsensusi politik mes dy partive të mëdha ka munguar dhe nuk është rënë dakord për ndryshime. Kështu, që shumica e rekomandimeve më të fundit të OSBE/ODIHR nuk janë marrë në konsideratë.”

 

Misioni ka përfshirë në raport edhe shqetësimet e ngritura nga opozita për disa çështje.

 

“Shumë nga bashkëbiseduesit tanë shprehin shqetësim për presionin ndaj votuesve, abuzimin me burimet shtetërore dhe ndikimin e parave të paligjshme nga grupet e krimit të organizuar.”

 

Po kështu shqetësime janë ngritur edhe për transparencën e financave të partive gjatë fushatës elektorale.

 

Në këto kushte, në raportin e vlerësimit të nevojave Misioni i OSBE/ODIHR rekomandon se vëmendja e vëzhguesve duhet të përqendrohet tek sjellja gjatë fushatës, përfshirë këtu blerjet e mundshme të votës, tek presioni dhe abuzimi me burimet e administratës, apo tek pasqyrimi i fushatës në media.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *