Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i ka quajtur qesharake përpjekjet e opozitës për të krijuar një situatë përplasjeje mes tij dhe Kryeministrit Rama, kësaj here duke stisur edhe retushimin e një fotografie. Veliaj e siguroi opozitën se do t’u bëhen gjunjët me kallo nga lutjet që mes tij dhe kryeministrit të kenë një konflikt.

“Ajo është thellësisht qesharake sepse transmetimi i ceremonisë së nderimit të Ali Ahmetit ishte live. Para se të largohej, familja e z. Ahmeti donte një foto me kryeministrin. Duket live kur në atë moment po bëja edhe koreografin e fotografisë. E bija e z. Ahmeti më thotë na u bashko për një foto të fundit. Nga 10 fotografë që ishin aty janë shkrepur disa qindra foto. As unë, Edi Rama jo e jo, nuk kemi komplekse të tilla. Nuk bëjmë as kështu lojërash. Ju kam thënë gjithmonë: Unë i kam shërbyer PS, kam punuar me Edi Ramën edhe kur s’kam pasur asnjë spaletë, asnjë titull, nga 2009-2013, edhe pse humba për një grusht votash në Berat, sepse njerëzit që e kanë vokacion, i shërbejnë atij misioni pa qenë të interesuar nëse kanë ofiqe dhe karrige. Opozitës i kam thënë: do t’i bëhen gjunjët me kallo dhe do luten deri në pafundësi të jetës që unë dhe Edi Rama të kemi konflikt dhe prej këtij konflikti të rikthehet Saliu me Ilirin. Kjo s’ka për të ndodhur kurrë”, tha ai.

Veliaj u shpreh se në fakt Sali Berisha dhe Ilir Meta ishin ata që urdhëruan bllokimin e dhënies së titullit “Qytetar Nderi” për një personalitet si Ali Ahmeti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *