Subscribe

Që në nisje, protesta e opozitës para godinës së Parlamentit u shoqërua me tensione.

 

Grupimi i deputetëve demokratë të përjashtuar nga aktiviteti parlamentar për 10 ditë, tentoi të futej në ambientet e brendshme të Parlamentit, pavarësisht masës ndaj tyre.

 

Por hyrja ishte e bllokuar nga forcat e Gardës së Republikës, të cilët nuk lejuan deputetët Luçiano Boçi, Albana Vokshi, Ervin Salianji, Ina Zhupa, Luan Baçi, Tritan Shehu, Gazment Bardhi dhe Bledion Nallbani të bëheshin pjesës e seancës plenare.

 

Për pasojë, përplasjet verbale mes deputetëve dhe Gardës nuk munguan.

 

“Hiqe dorën, na lër të hyjmë brenda.”

 

“A nuk ju vjen turp, ne jemi përfaqësuesit tuaj atje.”

 

Pas disa minutash tensione në hyrje të Parlamentit, deputetët demokratë u tërhoqën dhe u bënë pjesë e turmës protestuese.

 

Ky moment shënoi edhe përplasjen e parë fizike të protestuesve me forcat e policisë.

 

Disa protestues tentuan të çanin kordonin e policisë, të vendosur pak metra më larg hyrjes së Parlamentit.

 

Ata hodhën tymuese dhe shashka në drejtim të derës së Parlamentit, duke shkaktuar kaos dhe rrëmujë për pak sekonda.

 

Më pas ndërhynë Forcat Speciale për të ndalur aktet e dhunës dhe për të qetësuar turmën.

 

Pasi situata u qetësua, deputetët e përjashtuar sulmuan qeverinë, ndërsa efektivëve u bënë thirrje të bëhen pjesë e protestës për të mos lejuar mazhorancën t’i përdorë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *