Mijëra qytetarë malazezë protestuan mbrëmjen e djeshme para Kuvendit në Podgoricë duke kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

 

Protesta u mbështet nga partitë opozitare, me në krye Partinë Demokratike Socialiste të presidentit Milo Gjukanoviç.

 

Protestuesit, të cilët sipas organizatorëve ishin 15 mijë të mbledhur nga i gjithë vendi, kërkuan largimin e qeverisë teknike të Dritan Abazoviç. Ata gjithashtu kundërshtuan veprimet e partive që kanë shumicën në parlament, me në krye Frontin Demokratik duke e cilësuar si pro-rus.

 

Veç zgjedhjeve të parakohshme, tubuesit kërkuan edhe anulimin e ligjit për presidentin, përmes së cilit shumica parlamentare kërkon që ti transferojë vetes fuqitë kushtetuese të kreut të shtetit.

 

Protestuesit bënë thirrje për zhbllokimin e ngërçit për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese e cila tani nuk e ka kuorumin për të marrë vendime.

 

Mali i Zi prej vitit 2020 është përfshirë në një sërë krizash politike ku qeveritë me orientim pro-rus kanë gjetur artifice duke bllokuar shpeshherë institucionet.

Mali i Zi aspiron që të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, por paqëndrueshmëria politike por edhe orientimi pro-rus dhe pro-serb e kanë vështirësuar rrugën e tij drejt Brukselit.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *