Opozita nisi sot aksionin e mosbindjes civile, duke protestuar para godinës së kryesisë së kuvendit, pikërisht në të njëjtën orë kur prokurorët specialë kërkuan autorizimin e deputetëve për t’i hequr lirinë ish-kryeministrit Sali Berisha. Vetë lideri i opozitës, Berisha, refuzoi të mbrojë veten përballë akuzave të SPAK-ut në Këshillin e Mandateve dhe nga foltorja e protestës akuzoi prokurorët se kanë shkelur Kushtetutën me veprimet ndaj tij.

“Çfarë ndodh tani në parlament? Tani në parlament, dy laro, mercenarë të Edi Ramës, kanë ardhur pasi kanë vendosur në kundërshtim me Kushtetutën privimin e lirisë ndaj meje, tani jo që nuk tërhiqen, por si eprorë të parlamentit për shkak të porosive të Edi Ramës, vijnë të rëndojnë masat ndaj meje”, tha Berisha.

Lideri i opozitës Berisha përsëriti se protestat e opozitës nuk lidhen me fatin e tij personal, por janë reagim kundër qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

“Sot kërkohet nga ne një kthesë! Duhet të dalim në shesh me betimin se jetën e japim, votën nuk e japim”, shtoi ai.

Ish-kryeministri paralajmëroi se protestat nuk do të zhvillohen vetëm para parlamentit, por edhe para Gjykatës së Lartë, në ditën që do të vendoset fati i logos së PD.

“Më 27 dhjetor, çdo demokrate dhe demokrat, përpara Gjykatës së Lartë, ku Edi Rama ka porositur ekzekutimin e identitetit tonë”, u shpreh Berisha.

Vetë lideri historik i PD pranoi se protesta e sotme ishte modeste, megjithatë ai theksoi se tubimet e opozitës do të vazhdojnë deri në largimin e qeverisë.

“Edi Rama, të ka ardhur fundi. Të garantoj se kurrë më, votën e shqiptarëve nuk do guxosh ta prekësh”, deklaroi ish-kryeministri.

Në ditën që nisi aksionin e mosbindjes civile ra në sy se në krah të Sali Berishës ishin vetëm demokratët që prej dy vitesh e njohin si kryetarin e PD.

Kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi dhe deputetët që e mbështesin nuk morën pjesë në protestë. Gjithashtu në këtë tubim mungoi Ilir Meta e aleatët e tjerë të PD. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *