Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha kërkoi lirimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Belerit duke e cilësuar të burgosur politik.
Nënkryetari i kësaj force politike, Oerd Bylykbashi akuzoi kryeministrin Edi Rama se fillimisht urdhëroi arrestimin e Belerit dy ditë para zgjedhjeve dhe prej 3 muajsh pengon betimin e tij, për të grabitur pronat e qytetarëve të Himarës.
OERD BYLYKBASHI
“Zgjedhësit e votuan Fredi Belerin, kandidatin e koalicionit opozitar Bashkë Fitojmë edhe pse Edi Rama e kishte burgosur para se ata të hidhnin votën më 14 maj 2023. Ky verdikt i zgjedhësve qëndron mbi çdo vendim të Drejtësisë politike të Edi Ramës. Në emër të Partisë Demokratike deklaroj se lirimi i menjëhershëm nga burgimi politik i Fedi Belerit dhe kthimi i tij në detyrën për të cilën është zgjedhur është kërkesë e panegociueshme e Partisë Demokratike dhe Opozitës dhe vetëm një hap në rikthimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme në Shqipëri.”
Në mbrojtje të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës ka dalë edhe kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta
ILIR META
KRYETAR I PARTISE SE LIRISE
“Rasti Beleri është rasti i shembjes së shtetit të së drejtës në vendin tonë. Qëllimi i arrestimit ka qenë një, bllokimi i tij fizik me qëllim humbjen e bashkisë së Himarës dhe së dyti dhe qëndrimi që u mbajt ndaj tij është demonstrim i mosekzistencës së shtetit ligjor. Kjo bëhet në mënyrë që atij t’i pamundësohet betimi pas fitores që ai realizoi edhe si i ndaluar nga policia”
Pak ditë më parë në Himarë u zhvillua një protestë në mbështetje të kryebashkiakut të zgjedhur Fredi Beleri, ku morën pjesë edhe kryetarët e bashkisë së Selanikut dhe Athinës.
Fredi Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit me akuzën për blerje votash dhe tre shkallët e gjyqësorit. Në Shqipëri, kanë vendosur si masë sigurie ndaj tij, qëndrimin në burg deri në përfundim të gjykimit.