Opozita këmbëngul të pyesë Ramën dhe Nushin për sterilizimin, kërkon shtyrjen e afateve të Komisionit! PS kundërshton

Ish Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ditën e sotme la qelinë dhe u paraqit në Kuvend, pasi do të dëshmojë në komisionin e posaçëm hetimor për Shëndetësinë lidhur me 2 koncesionet, atë të sterilizimit dhe të check up-it.
Mbledhja nisi me debate mes anëtarëve të opozitës dhe atyre të mazhorancës.
Opozita kërkon që afati i komisionit të cilit i mbaron të enjten të zgjatet me qëllim që të dëgjohen dhe dëshmitë e kryeministrit Edi Rama dhe sipërmarrëses Vilma Nushi. Ndërkohë maxhoranca e kundërshton.
Plarent Ndreca: Nuk ka vend për ta shtyrë më. E kemi shtyrë një herë 4 muaj e një herë 2 javë. Kemi thirrur shumë dëshmitarë. Sot kemi dëshmitarin kryesor, Ilir Beqaj, që më shumë se kushdo tjetër do të japë dëshmi lidhur me procedurën që kemi si objekt i komisionit.
Albana Vokshi: Të vijë Fani e të mos vijë Vilma Nushi që është përfituese, e vetëm divident ka fituar 1.5 mln euro. Edi Rama lëshoi dhe Ilir Beqajn, hajdutin dymetrosh. E të vetmin që po mbron është Vilma Nushi. Dëshmitë e Vilma Nushit dhe Edi Ramës janë kyçe.
Edmond Spaho: Nuk na imponoheni dot me dëshmitarët. Pse doni që ajo të mos vijë të pyetet? Përse të mos pyetet kryeministri? Ky komision nuk duhet të mbyllet pa pyetur dëshmitarët që kemi kërkuar që në fillim të punës. Na përjashtuat 40 ditë. 2 javë e ndërpretë se donit të shikonit kombëtare. Hajde ta shtyjmë afatin.
Ditën e sotme ish-ministri Beqaj mbërriti në Kuvend me pranga në duar dhe i shoqëruar me efektivë policie. Ai është nën hetim nga SPAK për dy dosje, dosjen “Saspac” dhe koncensionin e Sterilizimit.
Në 4 korrik të këtij viti, Ilir Beqaj u vendos në pranga me urdhër të prokurores Elida Kaçkini, e cila kreu hetimet për abuzimin me fondet e Saspac, ndërsa për dosjen e parë ish-ministri i Shëndetësisë po hetohet nën masën e sigurisë ‘detyrim me paraqitje’./vizionplus.tv




