Opozita: Heshtja e Veliajt verteton përgjegjësinë e tij

Partia Demokratike ka reaguar pas raportit të Drejtorisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi ku cilësohet se zjarri në çerdhen numër 14 në ‘Ali Dem’ ishte i qëllimshëm.
Në një deklaratë për mediat deputetja e PD-së, Albana Vokshi ka akuzuar kreun e Bashkisë së Tiranës se po hesht dhe po përdor vartësit e tij për të manipuluar opinionin publik se zjarret në çerdhet e Tiranës janë të qëllimshme.
“Vartësit e Erion Veliaj në Shërbimin e Zjarrfikësve, në tejkalim kompetencash, pohuan atë që Erion Veliaj kishte paracaktuar që ditën e parë dhe që e deklaroi drejtoresha e çerdheve në bashki: se zjarrvënia është e qëllimshme dhe jo përgjegjësi e Bashkisë. Provat qesharake se kanë gjetur një xham të thyer në një dhomë, ku shpërthimi i një bombole gazi kishte rrëzuar murin përtokë, ngjajnë me skenarin e Griseldës shtatzënë të rrëmbyer nga qeveria e Berishës, skenar të cilin Erion Veliaj e përhapi në Europë për të akuzuar Partinë Demokratike.
Ftojmë mediat të publikojnë të plotë deklaratën e datës 16 të drejtoreshës së çerdheve, e cila, me urdhrin e Erion Veliajt, siguroi prindrit se shpërthimi nuk ka ndodhur në çerdhe, se çerdhet nuk përdorin gaz dhe se ato janë të sigurta. Në të dyja rastet, si drejtoresha e çerdheve, si zjarrfikësit, po manipulojnë të vërtetën, duke konsumuar disa vepra penale, për të fshehur përgjegjësinë e Erion Veliajt, njësoj siç u veprua edhe me fshehjen e vrasjes së 16 vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës 2 vjet më parë. Nëse e vërteta do të ishte kjo që po tenton të na imponojë Erion Veliaj, atëherë i gjithë shteti duhet të ishte në këmbë, sepse do të ishim përpara akteve të mirëfillta terroriste. Heshtja e Erion Veliajt është provë e qartë e përgjegjësisë së tij direkte ligjore në mosverifikimin e sigurisë në çerdhe dhe që po rrezikon seriozisht jetën e fëmijëve.”




