Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës u shoqërua me tensione dhe përplasje mes këshilltarëve të djathtë dhe atyre të majtë.
Opozita kërkoi të shtohej në rendin e ditës diskutimi mbi situatën aktuale të menaxhimit të bashkisë, pas zhvillimeve të fundit që nxorrën jashtë loje kryebashkiakun Erion Veliaj, tashmë i marrë i pandehur nga SPAK. Sipas këshilltarëve demokratë duhet t’i hapet rruga shkarkimit të Veliajt.
“Kemi dy muaj që kemi për të dorëzuar kërkesën për të trajtuar situatën aktuale të kryetarit të bashkisë, i cili sot nuk gjendet në detyrë dhe nisur nga zhvillimet e djeshme, Veliaj nuk është një njeri nën hetim, por i pandehur. Është domosdoshmëri që të futet në rend dite diskutimi i situatës aktuale të menaxhimit të bashkisë Tiranë. Po dëgjojmë në intervista, konkurse, thirrje të drejtorëve edhe nga stafe apo të njohur politikë që nuk janë pjesë e bashkisë. Bashkia e Tiranës është ekzekutivi dhe bashkë me Këshillin Bashkiak janë të vetmet autoritete që kanë të drejtën për menaxhimin e punëve”, tha këshilltari bashkiak Dorian Teliti.
Kjo kërkesë u refuzua nga socialistët që kanë shumicën në Këshillin Bashkiak të Tiranës.
“Në lidhje me diskutimin e pikës së parë për shkarkimin e zotit Veliaj, këtë pikë e kemi diskutuar në mbledhjen e kaluar, këshilli është shprehur për këtë pikë, zoti Teliti…folët nuk ju ndërpreva, ju lutem…sa i përket diskutimit për shkarkim është bërë një debat dhe është marrë një vendimmarrje, sa i përket komisionit financiar, kemi rënë dakord për ngritjen, është bërë debat se cilët do të jenë anëtarët. Zoti Telti s’bëj debat me ty fare”, tha Eridian Salianji.
Këshilli Bashkiak miratoi në mbledhjen e kësaj të enjteje fondet për qiratë e familjeve në nevojë./vizionplus.tv





