Subscribe

Ditën e sotme po mbahet mbledhja e dytë e Komisionit Antikorrupsion. Njësoj si në mbledhjen e parë, opozita ka zgjedhur të mos marrë pjesë. Kryetari i kërij Komisioni, Fatmir Xhafaj u shpreh i keqardhur dhe i bëri thirrje opozitës që të reflektojë.

Xhafaj: Ne mbetemi të keqardhur që ende opozita nuk  po bëhet pjesë e aktivitetit normal të Komisionit. Kuvendi ka miratuar ngritjen e këtij Komisioni të Posaçëm Parlamentar dhe gjithashtu ka miratuar përbërjen e këtij komisioni duke përcaktuar anëtarët që do të jenë nga mazhoranca dhe opozita. Do të duhej që kolegët e nderuar të opozitës të merrnin pjesë sipas detyrimit të Kuvendit dhe si një nevojë e domosdoshme, jetike, për të qenë pjesë e një procesi të tillë reformues. Shpresoj shumë në reflektimin e tyre dhe besoj që hap pas hapi, duke ecur para me procesin përgatitor, do të kuptojnë kushtetueshmërinë, qëllimin e këtij procesi, rëndësinë që ka ky proces për integrimin e vendit dhe të ardhmen e vendit. Pikërisht duke dëshmuar këtë qasje, në ditët që vijnë, unë besoj që opozita dhe jo vetëm opozita, por dhe shumë faktorë dhe aktorë të tjerë të cilët janë ftuar publikisht nga ne do të jenë pjesë e këtij procesi transparent dhe gjithëpërfshirës.

Komisioni i posaçëm parlamentar synon të çojë një hap para luftën kundër korrupsionit. Njëjtë me reformën në drejtësi, edhe ky angazhim i dytë i qeverisë për të luftuar korrupsionin shtetëror do të udhëhiqet nga Fatmir Xhafaj.

Tre shtyllat në të cilat pritet të bëhen ndryshime ligjore pas një analize të imët të të gjitha raporteve vendase dhe ndërkombëtare janë mirëqeverisja, antikorrupsioni dhe sundimi i ligjit.

Me konstituimin e “antikorrupsionit” faza e dytë është ngritja e grupeve të ekspertëve.

Ata do të jenë tre dhe secili do të përgatisë ekspertizën dhe gjithë bazën për ndryshime të mundshme ligjore për secilën nga fushat, të mirëqeverisjes, sundimit të ligjit dhe  antikorrupsionit.

Dhe kur flasim për ndryshime ligjore Fatmir Xhafaj siguron se ky komision nuk ka objekt të punës së tij ndërhyrjet në kushtetutë  dhe organet e drejtësisë./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *