Sali Berisha, i përjastuar nga seanca e sotme plenare, ku u miratua nen për nen buxheti, ka deklaruar se mosbindja civile do të vazhdojë.

 

Në një konferencë për mediet, Berisha deklaroi se Parlamenti nuk ekziston, pasi nuk funksionon mbi bazën e ligjeve dhe Kushtetutës.

 

Ai e quan një sukses bojkotimin e punës së Parlamentit nga deputetët opozitarë, të cilët sërish sot hodhën tymuese dhe kapsolla brenda sallës së Kuvendit.

 

Berisha: Mosbindja civile e grupit të deputetëve të PD, u dëshmua mjeti më efiçent apo ndër më efiçentët në histori, de facto përmbysi parlamentin e drogës, krimit dhe korrupsionit. Pra, ky përbën në historinë e revolucioneve demokratike, ky përbën një nga sukseset më të mëdha.

 

Ish-kryeministri thotë se me mosbindjen e tyre, i kanë prerë zërin Kuvendit.

 

Berisha: Tani kohërat i kanë të shkurtra, maksimumi 7 minuta, pa zë. Një parlament pa zë. Një parlament automatësh, që ngrenë dhe ulin kartonat. Nëse demokratët nuk do ishin në betejë të mosbindjes civile gjer në mesnatë do vazhdonin diskutimet koprolalike me në krye Edi Ramën. Të paktën nuk ndodhi më se ai nuk ekziston më ai parlament.

 

Në fund, Berisha paralajmëron se deputetët e opozitës do qëndrojnë me të gjithë qëndresën e tyre dhe kjo është një betejë pa kthim./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *