Opozita shfrytëzoi vizitën e ambasadorit të Bashkimit Evropian Gonzato në sallën e seancave plenare për t’i treguar përfaqësuesit te Brukselit zyrtar gardhet metalike e forcat e gardës së republikës të cilët në çdo séancë rrethonin parlamentin në përpjekje për të mos lejuar deputetët e përjashtuar të marrin pjesë në kuvend
Gonzato ishte në kuvend për t’i dorëzuar kryeparlamentares Spiropali progres raportin, por mesazhi i tij për opozitën ishte i pandryshueshëm.
“Shpresoj që opozita të luajë rolin e saj brenda kuvendit”, tha Gonzato.
Por opozita edhe sot e bëri të qartë se aksioni i mosbindjes civile do të vazhdojë.
Deputetët demokratë që nuk janë të përjashtuar bllokuan foltoren e kuvendit dhe nxorën jashtë karriget e tyre, dhe në shenjë proteste kundër mazhorancës u ulën në oborrin e kuvendit.
Demokratët theksuan se nuk do të bëjnë asnjë marrëveshje me mazhorancën për kthimin e normalitetit në kuvend duke refuzuar ftesën e kryetares së kuvendit Spiropali për dialog.
“Kush e kishte bërë këtë? Pëllumb Gjoka? S’kam qenë në burgun e Fierit që ta takoj, i paska transmetuar një mesazh zonjës, me Pëllumb Gjokën dhe zëdhënësit e tij nuk komunikojmë, ne jemi përballë krimit të organizuar”, tha Bardhi.
Por sot Gazment Bardhi sulmoi edhe SPAK-un i cili mori në pyetje deputeten Elda Hoti e cila dy javë më parë hodhi një spry me aromë të keqe në seancë
“Çështje idiote, te merret SPAK me ndonjë çështje më serioze”, tha ai.
Aksioni i opozitës për bllokimin e parlamentit nisi në fundin e muajit shtator pas dënimit me burg të ish-deputetit demokrat Ervin Salianji e sipas PD nuk do të ndalet deri në largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike e cila të udhëheqë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.