Subscribe

Një vit pas humbjes në zgjedhjet lokale, aksioni kryesor politik i opozitës është beteja kundër kryetarit të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.

Belind Këlliçi i cili në 14 majin e 2023 garoi përballë Veliajt deklaroi se opozita nuk do te tërhiqet derisa kryebashkiaku i Tiranës të dalë para drejtësisë.

“Sot, një vit pas zgjedhjeve të vjedhura, unë i kam sjell Erion Veliajt si simbol dhuratën që e pret shumë shpejt, prangat që së bashku do ia vendosim Erion Veliajt në duar si shenjë që ne nuk harrojmë ata që guxuan të deformonin vullnetin e qytetarëve të Tiranës”, tha Këlliçi.

Sipas Këllicit çështjet korruptive për të cilat po hetohen drejtore dhe ish-drejtorë të kësaj bashkie lidhen edhe me blerjen e votave dhe deformimin e vullnetit të qytetarëve në zgjedhjet e 14 majit.

“Këta janë drejtuesit e bandës 5D, pasi vodhën zgjedhjet për Veliajn, vodhën 45 tendera në bashkinë e Tiranë duke vendosur dhe një precedent të pa parë në Europë dhe botë ku i morën 100 % punët publike qytetit”, tha Këlliçi.

Prej 7 javësh opozita proteston para bashkisë se Tiranës duke kërkuar dorëheqjen e Erion Veliaj. Aksioni kundër kryebashkiakut nisi në fundin e muajit mars, kur SPAKU mori nën hetim 9 drejtorë dhe ish-drejtorë të bashkisë së Tiranës.

Sipas prokurorisë së posaçme këta drejtues kishin ngritur një kompani me emrin 5D me anë të së cilës përgjatë periudhës 2016-2022 kishin marrë 10 tendera nga ujësjellësi i Tiranës dhe 13 nga bashkia e kryeqytetit./vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *