Shumica qeverisëse në Bullgari nuk është e bindur për t’i dhënë dritën jeshile më 14 dhjetor Maqedonisë së Veriut për nisjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

 

Ish-ministri i Financave, Kiril Petkov, i cili fitoi zgjedhjet e parakohshme me partinë “Ne Vazhdojmë Ndryshimin”, deklaroi se negociatat mes Sofjes edhe Shkupit nuk duhet të mbeten peng nga nacionalistët.

 

KIRIL PETKOV

KRYETAR  I PARTISE “NE VAZHDOJMË NDRYSHIMIN”, BULLGARI

“Duhet të ngremë grupe pune, dhe t’i lëmë ata të ulen dhe bisedojnë për 6 muaj, që të mos jenë dominues vetëm nacionalistët nga të dyja palët. Pse nuk ka një linjë direkte ajrore dhe as hekurudhore midis Sofjes dhe Shkupit? Le të flasim më shumë mbi ekonominë sesa mbi interpretimet e ndryshme të historisë së përbashkët.Apo për tekstet shkollore të Maqedonisë së Veriut, ku pretendohet se bullgarët janë fashistë. Dhënia e dritës jeshile për negociatat e anëtarësimit tani, do të forconte pa asnjë diskutim nacionalistët në të dy kampet. Në zgjidhjen e këtij ngërçi do të bazohemi tek negociatat dhe jo tek propaganda.”

 

Nga ana tjetër, lideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski deklaroi se nga java e ardhshme pritet të fillojnë negociatat dhe kjo do të arrihet përmes një marrëveshjeje të “dëmshme” të kryeministrit Zoran Zaev me Sofjen zyrtare.

 

HRISTIJAN MICKOSKI

KRYETAR I VMRO-DPMNE, MV

“Zoran Zaev në largim është i gatshëm të nënshkruajë një marrëveshje të re, e cila do të pranojë pjesërisht ose plotësisht Rezolutën e miratuar nga Kuvendi bullgar në nëntor 2019. Ajo asimilon plotësisht popullin maqedonas dhe paraqet goditje e drejtpërdrejtë mbi identitetin tonë.Ne i ndajmë vlerat me BE-në dhe vërtet është koha e fundit që BE-ja të tregojë vlerat e saj në veprim dhe të braktisë kërkesat hegjemoniste të fqinjit tonë lindor që nuk kanë lidhje me vlerat evropiane.”

 

Vetoja bullgare ka penalizuar edhe procesin për Shqipërinë. Ndërsa më 14 dhjetor, do të mbahet Samiti i BE-së, ku do të mësohet fati i Konferencës së Parë Ndërqeveritare për Tiranën dhe Shkupin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *