Nga Olta Blaceri
Opozita kërkoi sot shkarkimin e ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha, pasi sipas saj, policia nuk mori masa për tubimin e zhvilluar para Gjykatës se Posaçme nga mbështetësit e kryebashkiakut Erion Veliaj ditën që u vendos masa e sigurisë ndaj tij.
Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi akuzoi ministrin e Brendshëm se jo vetëm që nuk bëri detyrën që i ngarkon ligji, por nuk iu përgjigj as kërkesës së gardës së republikës për të siguruar perimetrin rreth godinës së gjykatës
“Ministri jo vetëm duhet të dorëhiqet, por të shkarkohet. Thanë se ishte tubim i krijuar në mënyrë spontane, atëherë është tubim i paligjshëm dhe policia duhet të ndërhyjë që ta shpërndajë turmën. Por qëllimi ka qenë ti kërcënojë jetën gjyqtarëve dhe prokurorëve”, tha Bardhi.
Arrestimi i kryebashkiakut Erion Veliaj dominoi debatin parlamentar dhe mazhoranca vuri në dukje se izolimi në burg i Veliajt ndodh vetëm 3 muaj para zgjedhjeve dhe është i padrejtë
“Lënia e Bashkisë Tiranë pa kryetar, në prag të zgjedhjeve është e padrejtë. Masa e sigurisë nuk duhet të jetë në disproporcionalitet përballë të mirës publike. Nuk më bëhet qejfi për askënd që arrestohet, por ka ardhur koha në radhë të parë të ndërtojmë një politikë të shëndetshme. Kujtojmë punën që ka bërë për një Tiranë më të mirë, për një Tiranë me infrastrukturë shumë më të zhvilluam në pastërtinë, në zhvillimin, me shumë aktivitete kulturore, sportive, sociale, me më shumë shërbime për ata që kanë më shumë nevojë”, u shpreh Etilda Gjonaj.
Por, përtej debateve për arrestimin e kryetarit të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj; seanca e sotme plenare është seanca ku PS e PD do të bashkojnë votat për ndryshimin e kodit zgjedhor. Të dyja partitë kryesore kanë rënë dakord që të votojnë disa ndryshime që japin garanci më shumë për votën e diasporës.
Gjithashtu në rendin e ditës është parashikuar zgjedhja e avokatit të popullit që gjithashtu kërkon 84 vota për tu miratuar. PD ka propozuar ish-të përndjekurin politik Besim Ndregjonin si kandidat për këtë post, por mbetet për tu parë nëse socialistët do të mbështesin apo jo kandidaturën e tij. /vizionplus.tv