Subscribe

Në prag të sezonit turistik, operatorët kërkojnë nga Ministria e Financave rishikimin e barrës tatimore.

 

Njësoj siç u bë me akomoduesit në vitin 2017, Unioni Turistik Shqiptar synon që shkalla tatimore të reduktohet nga 20% që është sot në 6% edhe për shërbimet e tjera turistike.

 

FATOS ÇERENISHTI

 

UNIONI TURISTIK SHQIPTAR

 

“Çdo lloj shërbimi të bëhet 6%, çdo shërbim që kryhet në resorte, në bare dhe restorante. Ne e pamë se çfarë impakti pozitiv dha ulja e TVSH 6% për akomodimin, ku pamë një interest ë shtuar të të gjitha bizneseve shqiptare për të investuar në hoteleri, nëse do të bëhet 6% edhe për shërbimet e tjera, do të ketë rritje të sektorit.”

 

Shqetësim që duket se do të na shoqërojë edhe këtë sezon turistik është mungesa e fuqisë punëtore dhe kjo, sipas bizneseve, vjen edhe prej punësimit sezonal. Për të pasur stafe të punësuara dhe të qëndrueshme gjatë gjithë vitit, bizneset kërkojnë mbështetjen e qeverisë.

 

FATOS ÇERENISHTI

 

UNIONI TURISTIK SHQIPTAR

 

“Kur flasim për hoteleri, fuqia punëtore është shumë e rëndësishme. Por kurrë nuk mund të arrijmë të kemi punonjës të kualifikuar nëse ata i mbajmë vetëm gjatë sezonit turistik dhe më pas largohen nga strukturat tona për shkak të mungesës së punës. Nuk kemi mundësi t’i mbajmë gjithë vitin dhe do të ishte shumë mirë dhe shumë ndihmuese nëse punonjësit do të siguroheshin 6 muaj nga strukturat hoteliere për pagën dhe sigurimet shoqërore dhe 6 muaj të tjerë, shteti të paguajë sigurimet shoqërore e shëndetësore për ta, bashkë me një asistencë. Kështu punonjësit do të ishin më të lidhur me strukturat tona dhe do të kishim vijueshmëri.”

 

Qeveria, sipas operatorëve, duhet të ndërhyrë me mbështetje financiare edhe për ata operatorë që sjellin turistë të huaj jashtë sezonit veror, që të garantohet turizmi gjithëvjetor.

 

Ministria e Financave premton për se kërkesat e tyre do të merren në shqyrtim nga një grup pune i përbashkët, për të dalë në fund me një zgjidhje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *