Subscribe

Gjashtë persona janë arrestuar ne megaoperacionin e zhvilluar nga Prokuroria e Posaçme, Guardia Di Financa dhe DEA amerikane.

Këta persona bënin pjesë në një grup të strukturuar kriminal që merrej me trafikun ndërkombëtar të drogës.

 

Në mesin e të arrestuarve janë 4 shqiptarë dhe dy shtetas nga ukraina.

 

Numri i personave të shoqëruar ishte mbi 20, mes tyre edhe të mitur, por vetëm 6 janë të arrestuar. Një nga të prangosurit është edhe ish-efektivi i policisë Arlind Ismailukaj.

 

Drejtuesit e policise thanë se trafikantët, të rrethuar nga policia në det të hapur, dogjën velieren.

 

SOKOL BIZHGA

ZV/DREJTOR I PERGJITHSHEM I POLICISE

 

Shtetasit që ndodheshin në velerie, sapo kanë konstatuar se ishin rrethuar nga Policia, i kanë vënë zjarrin mjetit lundrues dhe kanë tentuar të largohen me një barkë të vogël shpëtimi, por janë kapur në flagrancë.    

 

Bizhga shtoi se është sekuestruar drogë, armë dhe një sasi parash.

 

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 2 armë zjarri pistoleta, të markave “Glock” dhe “Zastava”;  200 fishekë pistolete model 54;  një automjet tip “Audi”; 4 aparate DVR për ruajtjen e pamjeve filmike;  45 000 euro, 250 000 lekë, 500 paund, 50 franga, 2 000 lira, 25 celularë;  sasia 23 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, e gjetur në afërsi të velierës së djegur.

 

Sipas policisë, gomonet me drogë ishin nisur nga bregdeti i Patokut, pasditen e së martes. Veliera e djegur ishte me flamur ukrainas dhe ishte nisur nga Mali i Zi. Grupi që merrej me trafikun e drogës, shkëmbente kanabis me heroinë dhe kokainë. Dyshohet se baza e organizatës ishte në zonën e Fushë-Kuqes ku janë ushtruar edhe disa kontrolle.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *