Vitet e fundit, vihet re një tendencë në rritje e operacioneve plastike, veçanërisht tek moshat e reja. Ekspertët thonë se faktorët që ndikojnë në këtë fenomen janë disa.
“Ndodh nga fakti që shumë herë marrin informacion të gabuar dhe kërkojnë të tërhiqen nga trendet e momentit, duke bërë operacione si hunda apo veshi. Pavarësisht se mund të kenë mbushur moshën 18-vjeçare, janë akoma fëmijë që po formohen me problematikat e tyre.”, tha kirurgu estetik, Panajot Papa.
Sociologe Eva Sinanaj u shpreh:
“Mediat dhe rrjetet sociale po krijojnë një influencë të madhe se sa të bukur jemi, por po krijojnë gjithashtu një standard se si duhet ta kemi pamjen, si duhet të kemi flokët, si duhet të kemi veshjen.”
Ekspertët japin disa këshilla për të gjithë të rinjtë që duan të ndryshojnë pamjen e tyre të jashtme.
“Mosha më e re, pavarësisht problemeve, nuk e ka të nevojshme të shkojë të modifikojë apo të presë lëkurën e vet për arsye të tjera.”, tha kirurgu Papa.
“Do t’ju bëja një thirrje të gjithë djemve dhe vajzave që nuk kanë pse insistojnë për t’u pranuar. Hiqni idenë se nuk jam i bukur mjaftueshëm dhe nuk më do shoqëria”, tha sociologe Eva Sinanaj
Rimodelimi i hundës kryeson ndërhyrjet kirurgjikale estetike në Shqipëri, si tek meshkujt, ashtu edhe tek femrat.
/vizionplus.tv