Drejtuesja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit Genovevas Ruiz Calavera, i është përgjigjur kërkesës së ministrit të Drejtësisë Petrit Vasili, mbi vendosjen e Bordit të Menaxhimit në një kuadër ligjor.
Në një letër drejtuar ministrit të Drejtësisë, Calavera thekson se Komisioni Europian ka marrë drejtimin e ONM-së me përkushtimin për të mbështetur procesin e vettingut. Ajo thekson se nuk ka nevojë për një marrëveshje të re, që do negociohej me Shqipërinë.
“ONM-ja nuk ka nevojë për një marrëveshje të re me Shqipërinë, as të ketë nevojë të përdorë një marrëveshje formale nën ligjin ndërkombëtar. ONM është një operacion monitorimi që nuk ka fuqi vendimmarrëse, në raport me kryerjen procesit të Vettingut. Kushtetuta e Shqipërisë në mënyrë të qartë synon të ngreje një operacion që të jetë tërësisht i pavarur nga autoritetet shqiptare, për të garantuar monitorim të jashtëm në procesin e Vettingut”
Në letrën e saj, Calavera thekson se roli dhe përbërja e Bordit të Menaxhimit të ONM-së i është bërë e ditur kryetarit të Kuvendit Meta, kryeministrit Rama dhe zyrtarëve të lartë të Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit të Shqipërisë.
“Drejtuesja e ONM-së ka shpjeguar se Bordi i Menaxhimit është organ teknik, i një natyre jopolitike, i përbërë nga nëpunës civile të nivelit të lartë, që përfaqësojnë partnerët e ONM-së. Ata kanë për qëllim që ONM-ja të kryejë detyrën që Kushtetuta e Shqipërisë i ka besuar. Autoritetet shqiptare u informuan gjithashtu mbi procedurat e parashikuara për rekrutimin e vëzhguesve ndërkombëtarë.”
Kryetarja e ONM-së, në letrën drejtuar ministrit të Drejtësisë Petrit Vasili, kujton se ky projekt asistence, ka marrë financimin më të madh nga Bashkimi Europian. Calavera shton se nevojat financiare për aktivitetin e vëzhguesve afatgjatë të ONM-së dhe ekipit të tyre mbështetës, do të sigurohen nga BE përmes një projekti me vlerë 10 milionë euro.





