Subscribe

Kryeprokurori Olsian Cela deklaroi gjatë konferencës me temë “Sfidat e Prokurorisë së Përgjithshme” se reforma në drejtësi ka sjell ndryshime të rëndësishme e rrënjësore në të gjithë sistemin.

Çela shtoi se më  konkretisht Prokuroria ka pësuar ndryshime drastike nga reforma në drejtësi.

Megjithatë kryeprokurori tha se reforma në drejtësi nuk ka përfunduar pasi është ende në proces.

 

Ndërkohë që reforma në drejtësi ka sjellë ndryshime rrënjësore nga pikëpamja strukturore në ngrehinën e drejtësisë, suksesi i shumëpritur do të mbetej i skicuar vetëm në imagjinatën e krijuesve dhe promovuesve të saj nëse njerëzit që do të mbeteshin apo do  të hynin brenda kësaj ngrehine do të vazhdonin të gëlonin në moçalin e apatisë dhe mediokritetit, duke pritur që ndryshimet të vinin sërish nga një botë tjetër, e huaj dhe e pakuptueshme për ta, por që kishte zgjidhjet magjike dhe për problemet më të thjeshta për të cilat mjafton vetëm forca e vullnetit të mirë për t’u dhënë zgjidhje.Reformat nuk janë qëllim në vetvete dhe as zgjidhja finale e problemeve. Ato janë instrumenti që duhet të krijojë kushtet e favorshme për zhvillimin e një realiteti të ri, me synim progresin shoqëror. Reforma në drejtësi është ende në proces, pasi ndërkohë që është miratuar një infrastrukturë e tërë ligjore për funksionimin e sistemit të drejtësisë, institucionet e reja janë ngritur vetëm pjesërisht. Edhe pse procesi i vetingut nuk ka arritur ende në mesin e rrugëtimit të tij nga pikëpamja sasiore, organet e drejtësisë po ballafaqohen me mungesa të theksuara në burime njerëzore për shkak të largimeve të magjistratëvve nga procesi i rivlerësimit kalimtar, ndërkohë që një pjesë e madhe e magjistratëve janë ende në proces apo nuk e kanë nisur procesin. Shtimi i ngarkesës së punës në çdo prokurori ka krijuar një situatë emergjence, pasi ndërsa jemi në vitin e katërt të reformës, ende nuk ka një perspektivë të qartë se kur sistemi do të funksionojë me kapacitete të plota.Prokuroria është organi që ka pësuar ndryshimet më drastike nga reforma. Decentralizimi dhe pavarësia e prokurorëve u vlerësuan si zgjidhjet më të mira për ta bërë prokurorinë efikase, ndërkohë që gjykatës i është dhënë një pushtet edhe më i madh në fazën e hetimit, për të garantuar interesin publik dhe të drejtat e subjekteve. Ndryshimi i kulturës së funksionimit brenda një organizate është faza më e vështirë e çdo reforme që synon t’a ndryshojë rrënjësisht atë. Kështu dhe për prokurorinë zbatimi i konceptit të pavarësisë është  sfida më e vështirë për t’u kapërcyer. 

 

Cela tha mes të tjerash se objektiv primar i institucionit që ai drejton është forcimi I pavarësisë së prokuroreve.

 

Objektiv primar mbetet forcimi i pavarësisë dhe rritja e përgjegjshmërisë së prokurorëve përmes ndërtimit të një sistemi efikas monitorimi të aktivitetit të tyre në ushtrimin e funksioneve.Pjesë thelbësore e vizionit tonë është hartimi dhe zbatimi i një projekti madhor në funksion të mirëadministrimit të procesit të hetimit përmes modernizmit të tij ndërsa kemi hyrë në epokën dixhitale, duke perfeksionuar mënyrat e komunikimit dhe administrimit të të dhënave.Rregullimi i ndërveprimit mes policisë gjyqësore dhe prokurorit që në fazën parahetimore është prioritet i rëndësishëm, pasi përmes ndërhyrjeve të natyrës administrative do të ulet ndjeshëm ngarkesa e panevojshme në punën e prokurorëve, duke rritur kështu produktivitetin.Ne do të propozojmë sot ndërmarrjen e disa hapave konkretë për përmirësimin e kapaciteteve tona në hetimet që lidhen me pastrimin e produkteve të veprës penale dhe krimin financiar, duke synuar krijimin e  një ambienti mbytës ndaj gangrenës së informalitetit që ka gërryer për 30 vjet sistemin ekonomik në vend dhe është kthyer në pengesë për zhvillimin e qëndrueshëm social-ekonomik.

 

 

Ndërkohe ambasadori I BE, Luigi Soreca tha se reforma në drejtësi është ende ne avacim e se sistemi I drejtësisë duhet të jetë edhe më efikas dhe më transparent.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *