E martë, 15 Shtator 2026 Trashëgimtari Halef deri në 03:00 Në vijim ora 03:00: Lajmet e Fundit Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

“Olsi Rama nuk ka asnjë lidhje me Xibrakën, s’ka asnjë provë që e lidh”, Bardhi reagon pas deklaratës së SPAK

Ilustrim · Vizion Plus

Prokuroria e Posaçme në një përgjigje për Vizion Plus deklaroi ditën e sotme se ka mbyllur hetimet për Olsi Ramën, duke theskuar se nuk ka asnjë provë që e lidh atë me individët e dënuar për dosjen “Xibraka”.

Pas disa orësh nënkryetari i PD, Gazment Bardhi akuzoi ashpër prokurorinë e Posaçme se nuk ka hetuar Olsi Ramën, madje sipas tij ai e kishte parashikuar edhe deklaratën e SPAK.

Po ashtu Bardhi ka hedhur akuza të forta ndaj prokurorit të çështjes, Alfred Shehu duke thënë është po i njëjti prokuror që kundërshtoi veten për ngjarjen e Elbasanit katër vite më parë.

“I njëjti prorkuror Alfred Shehu doli më zë e figurë se për ngjarjen në Elbasan në makinën e autorëve nuk u gjetën materiale zgjedhore. Nxitimi i tij hasi në kundërshti me vetveten, kur në gjykatë deklaroi se në makinën u gjetën materiale zgjedhore”, u shpreh Bardhi.


Ndërkohë prokuroria Posaçme në një përgjigje zyrtare për Vizion Plus deklaroi se ka bërë një sërë verifikimesh nga të cilat përjashtohet Ols Rama. Në këto kushte, SPAK ka pezulluar hetimet në 23 dhjetor të 2024.

“Hetimet rifilluan pas administrimit të një informacioni të dërguar nga deputeti Gazment Bardhi, i cili pretendoi përfshirjen e shtetasit, Ols Rama në veprimtari të paligjshme. Në kuadër të këtyre hetimeve, SPAK ka kryer një sërë veprimesh hetimore, përfshirë bashkëpunimin me autoritetet kompetente të Kosovës. Në përputhje me nenin 326 të Kodit të Procedurës Penale, më datë 23 dhjetor 2024, është vendosur pezullimi i hetimeve për procedimin penal nr. 88 të vitit 2024, pasi autorët e tjerë të veprave penale nuk janë identifikuar. Dosja i është dërguar Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për të vijuar përpjekjet për identifikimin e autorëve”, thuhet më tej.

Por, për deklaratat publike të bëra nga deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, Ols Rama e paditi atë për kallëzim të rremë. Laboratori i drogës në Xibrakë u zbulua në janar të 2015, gjatë një operacioni të policisë shqiptare në bashkëpunim me agjentët gjermanë.

Në fshatin Xibrakë, rreth 10 kilometër larg Elbasanit, u sekuestrua një sasi kokaine prej 100 kilogramë. Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli fajtorë nëntë të pandehur, duke i dënuar me 104 vjet burg në total, mes të cilëve edhe Ermal Hoxhën, nipin e diktatorit Enver Hoxha.

Taulant Halili
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Vazhdo të lexosh