Shefi i Kombeve të Bashkuara ka bërë apel për 397 milionë dollarë për të ndihmuar gati 5 milionë të mbijetuar të tërmeteve shkatërruese në pjesën e Sirisë të kontrolluar nga rebelët.

 

Të mbijetuarit e tërmeteve në Siri kanë më pak qasje në ndihma për shkak të luftës civile që po vazhdon në këtë shtet që 12 vjet.

 

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, e bëri këtë apel më 14 shkurt, një ditë pasi ai mirëpriti marrëveshjen midis OKB-së dhe presidentit sirian, Bashar al-Assad, për të hapur dy pikëkalime nga Turqi për një periudhë tremujore.

 

OKB-ja tha se përmes këtyre pikave do të kalojnë vetëm ndihmat për të mbijetuarit e tërmeteve, që në Siri dhe Turqi kanë lënë të vdekur mbi 35.000 persona.

 

Guterres tha se shkatërrimet nga tërmetet e 6 shkurtit, ishin “ndër më të këqijat në historinë e fundit” dhe “ne e dimë se ndihma që shpëton jetë nuk po dërgohet me shpejtësinë dhe madhësinë e nevojshme”.

 

Ai tha se 397 milionë dollarë do të ofronin “ndihmë shpëtuese për pothuajse 5 milionë sirianë – përfshirë strehim, kujdes shëndetësor, ushqim dhe mbrojtje” për tre muaj.

 

Guterres tha se OKB-ja është në fazën e fundit të përgatitjes për të lëshuar një apel emergjent edhe për Turqinë, që është goditur rëndë nga tërmetet.

 

Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ofrojë fonde emergjente pa vonesa, duke theksuar: “Dhimbja njerëzore nga kjo tragjedi e madhe natyrore nuk duhet të përkeqësohet nga pengesat njerëzore: qasja, fondet dhe furnizimet”.

 

Ai po ashtu tha se autoritetet në Siri duhet të sigurojnë të gjitha rrugët në të gjitha zonat, në mënyrë që të mos ketë kufizime për dërgimin e ndihmave.

 

Më 6 shkurt, Turqia dhe Siria u goditën nga tërmete prej 7.8 dhe 7.5 ballësh, që u pasuan me qindra dridhje të tjera të tokës./rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *