Subscribe

Mund të duket e çuditshme për çdo të huaj që do të dëgjonte një histori të tillë, por në Shqipëri kjo është e zakonshme. Ky pallat me 40 familje vetëm 2 kilometra larg qendrës së kryeqytetit, ka 26 vjet që nuk ka të instaluar asnjë matës për të faturuar energjinë elektrike. Në kohë të ndryshme këta abonentë kanë paguar aforfe, e në vitet që vendimi i tyre është shfuqizuar nga Enti Rregullator i Energjisë nuk kanë paguar fare energjinë që merrnin. Grupet e punës së OSHEE kanë filluar këtë paradite vendosjen e sahateve për të gjithë banorët. Në periudha aksioni qeveritë në Shqipëri në raste të caktuara i kanë ndërprerë energjinë elektrike, e në prag zgjedhjesh kanë mbyllur sytë. Në vitin 2013-të Enti Rregullator morri vendimin për rikthimin e aforfeve, derisa Kompania e Shpërndarjes të vendosë matësit për të gjithë abonentët, një detyrë kjo që duhet ta kishte bërë vite më parë administrimi çek i CEZ. Për disa konsumatorë pagesa afrofe është më e leverdishme, duke qenë se paguhet një shumë e caktuar pavarësisht energjisë që përdor. Kjo ka bërë që grupet e punës së OSHEE të ndeshin në disa raste rezistencë nga klientë të caktuar, duke thirrur edhe ndihmën e policisë. Që nga data 1 korrik askush nuk do të faturohet më afrofe, në rastet që matësit mungojnë do të ndërpritet energjia.
Kompania thotë se brenda kësaj date përfundon instalimin e të gjithë sahateve. Por ka edhe raste si ky i Atrit Gorës, i cili në gjithë këto vite nuk figuron të ketë patur një kontratë të lidhur me kompaninë dhe i bën thirrje shtetit për ndihmë pasi ka 1 vit pa energji elektrike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *