Subscribe

Misioni Ndërkombëtar i Vëzhguesve të ODIHR, në raportin e ndërmjetëm mban një qëndrim kritik ndaj marrëveshjes politike, të cilat detyrojnë transmetuesit televizivë privatë të transmetojnë pa pagesë reklamat partiake. ODIHR kujton se një vendim i tillë bie ndesh me përcaktimet në Kodin Zgjedhor.

 

 “Ndryshimet e fundit ligjore detyrojnë transmetuesit privat të vendosin në dispozicion kohë transmetimi falas për të gjithë garuesit, dhe gjithashtu ndalojnë reklamat politike me pagesë, çka bie në kundërshtim me dispozitat e Kodit Zgjedhor, siç është vënë në dukje publikisht nga disa media. Marrëveshja solli ndryshime të ligjit për partitë politike, duke detyruar mediat private të sigurojnë minutash falas për reklamat politike të partive, që garojnë në zgjedhje. Përveç kësaj reklamat politike me pagesë u ndaluan për këto zgjedhje, në kundërshtim me Kodin Zgjedhor. Më  25  maj, 10 media private paraqitën në KQZ një letër, duke deklaruar, që ata do të zbatojnë Kodin Zgjedhor dhe nuk do të zbatojnë ndryshimet, të cilat i konsiderojnë si jokushtetuese.”

 

Raporti paraprak i ODIHR bën një pasqyrim të detajuar të krizës politike para arritjes së marrëveshjes Rama – Basha, e cila mundësoi shtyrjen me një javë të datës së zgjedhjeve, më në fund përfshiu opozitën në zgjedhje. Raporti thekson edhe vendimin i cili përjashton punonjësit e administratës publike të jenë pjesë e fushatës zgjedhore.

 

“Fushata në institucionet publike është e ndaluar. Burimet e institucioneve apo enteve publike nuk mund të përdoren në fushatë, dhe nëpunësi civil nuk mund të marrë pjesë në aktivitete politike gjatë orarit zyrtar. Më 12 maj, Kryeministri nxori një urdhër mbi ndalimin e përdorimit të burimeve të administratës publike në fushatë zgjedhore, duke rikonfirmuar kështu parashikimet  ligjore. Sipas Marrëveshjes, opozitës iu dhanë pozicione kyçe në ministri dhe institucione publike, si mbrojtje ndaj një abuzimi të mundshëm të burimeve administrative.”

 

Misioni Ndërkombëtarë i Vëzhguesve të ODIHR vlerëson se për shkak të Marrëveshjes, KQZ-ja duhet të  vepronte në kushte të jashtëzakonshme, duke u përballur me një tërësi komplekse sfidash ligjore, institucionale dhe financiare, si dhe me afate kohore të  kufizuara që  përbënin një ngarkesë shtesë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *