Numërimi i votave për kandidatët u mbyll dhe mbeten edhe pak ditë nga publikimi i raportit përfundimtar të OSBE-ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Drejtuesja e misionit ndërkombëtar të vëzhguesve, ambasadorja Ursula Gaҫek shprehet se tashmë do të jetë në fokus çdo ankesë apo rinumërim.

 

URSZULA GACEK

SHEFE E MISIONIT TE VEZHGUESVE, OSBE ODIHR

 

“Do të shikojmë me shumë vëmendje çdo ankim apo rinumërim në ditët në vijim. Kemi pasur dy sfida kryesore: pandeminë Covid -19 dhe numrin e madh të amendimeve dhe ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, që u bënë shumë vonë, në tetorin e kaluar dhe prandaj ka pasur shumë mospërputhje dhe paqartësi në raportin mes ligjit zgjedhor dhe rregulloreve.”

 

Ambasadorja Gacek vlerëson se në këto zgjedhje, problematika që dominoi përtej shitblerjes së votës, ishte keqpërdorimi i burimeve të administratës publike nga forca politike qeverisëse.

 

Ne kemi pasur një shqetësim më të madh sesa shit-blerja e votës: keqpërdorimin e burimeve të administratës shtetërore, qëndrimin e turbullt ndaj kufirit mes partisë dhe shtetit. Lidhur me shit -blerjen e votës, duhet vënë në dukje që nuk i përket një partie të veçantë. Çdo rast duhet trajtuar me drejtësi dhe paanshmëri, që në të ardhmen njerëzit mos ta bëjnë këtë. Nuk është një dukuri që mund të zhduket vetëm në një proces zgjedhor, pra ka dy elemente: edukimin e votuesve dhe ndjekjen penale.”

 

Duke u ndalur tek më shumë se 80 mijë votat e pavlefshme që u klasifikuan në këto zgjedhje, shefja e misionit ndërkombëtar të vëzhguesve tha se ky është një fakt që nuk mund të shpërfillet.

 

“Nuk ka ende dispozita për votimin e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit të tyre, gjë që nuk përbën një standard ndërkombëtar. Nga ana tjetër, fokusi ynë pas mbylljes së votimit është tek procesi i numërimit, që këtë vit është më i komplikuar. Një tregues interesant janë votat e pavlefshme që mund të na dëshmojnë sesa  të informuar kanë qenë zgjedhësit sesi do të votonin nga pikëpamja teknike. Votat e pavlefshme janë tregues i problemeve që do të përfshihen në rekomandimet tona në raportin përfundimtar.”

 

 

Ambasadorja Ursula Gaҫek vëren se nga rekomandimet e mëparshme të OSBE/ODIHR-it, dy prej tyre nuk janë adresuar fare dhe sigurisht do të jepen përsëri. Ai për të patur një raport të ndërmjetëm para ditës së zgjedhjeve lidhur me burimet e financimit për fushatën dhe kandidatët. Dhe rekomandimi i dytë, sipas saj, shumë i rëndësishëm, është përdorimi i vazhdueshëm i materialeve të partive politike në garë, në edicionet e lajmeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *