E hënë, 28 Shtator 2026 7 PA 5 Live deri në 09:00 Në vijim ora 09:00: Mes'dritë Live Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

OBSH: Virusi është ende rrezik, shpallja e fitores ndaj COVID-19 është kërcënim

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron se shpallja e fitores nga pandemia është një kërcënim edhe më i madh për të gjitha shtetet. Në një konferencë për shtyp online, kreu i organizatës nënvizoi se duhet ruajtur vigjilenca dhe të merren masat për rikthimin e virusit. Sipas tij kjo mbetet prioritet deri në gjetjen e vaksinës.

TEDROS ADHANOM GHEBREYESUS DREJTOR I PERGJITHSHEM I OBSH

“Jemi të inkurajuar që shumë vende po shohin shenja pozitive në ngadalësimin e sëmundjes, por tani kërcënimi më i madh është vetëkënaqësia. Ne këmbëngulim që shtetet të jenë vëzhgues aktivë sidomos në një kohë kur grumbullimet e llojeve të ndryshme po përhapen në të gjithë botën. Ne inkurajojmë protestuesit që të respektojnë masat mbrojtëse.”

Në një kohë kur Italia, Estonia dhe shumë vende të tjera europiane po nisin aplikimin e gjurmuesve dixhitalë të kontaktit, kreu i OBSH saktëson se teknologjia mund të cënojë privatësinë dhe nuk zëvendëson kapacitetin e nevojshëm njerëzor për gjurmimin e të infektuarve.

“Gjurmimi i kontaktit mbetet një strategji e fortë për të mposhtur sëmundjen. Shumë mjete dixhitale janë zhvilluar në këtë drejtim. Por ato janë një sfidë për privatësinë, vetëraportimi jo i saktë mund të pasohet me mjekim të gabuar dhe privohen ata që nuk kanë akses ndaj teknologjisë.”

Në të gjithë botën janë identifikuar mbi 7.2 milionë njerëz të infektuar me Covid-19, ndërsa 409 mijë pacientë kanë humbur jetën. Në Europën lindore ka një rritje aktive të rasteve ndërsa pandemia tashmë ka shpërthyer në Amerikën Latine. Brazili është vendi dytë në botë pas SHBA që raporton bilancet më të rënda nga pandemia e koronavirusit.

Vazhdo të lexosh