Udhëheqësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka paralajmëruar kundër sigurimit të dozave përforcuese të vaksinave kundër koronavirusit për ata që tashmë janë vaksinuar, teksa varianti Delta “përhapet në botë” dhe vendet e varfra nuk kanë pranuar vaksina ende.

Shefi i OBSH-së ka thënë më 12 korrik se disa punëtorë shëndetësorë në vijën e parë të frontit, ende janë të pavaksinuar.

Thirrja e tij vjen ndërkohë që shumë qeveri po përballen me hezitim për vaksinim dhe shqetësime për variante më të transmetueshme të koronavirusit.

“Dallimi në furnizime me vaksina kundër COVID-19 në botë është shumë i madh dhe jo i barabartë”, ka thënë Tedros.

“Disa shtete dhe rajone janë duke porositur miliona doza përforcuese, para se shtetet tjera të vaksinojnë punëtorët shëndetësorë dhe grupet më të rrezikuara”.

Ai ka përmendur prodhueset amerikane të vaksinave, kompanitë Pfizer dhe Moderna, që po planifikojnë të ofrojnë doza përforcuese për të siguruar imunitet afatgjatë.

Mirëpo ai ka sugjeruar që këto doza duhet të dërgohen te skema COVAX, e OBSH-së, e cila synon të ndajë vaksina për vendet e varfra.

“Varianti Delta po përhapet në botë, duke nxitur shpërthime të reja, të infektuar dhe të vdekur”, ka thënë Tedros.

Sipas tij, për variantin Delta – i identifikuar fillimisht në Indi – tani është raportuar në 104 shtete.

Këtë javë, Anthony Fauci, ekspert për koronavirusin në Shtetet e Bashkuara, ka thënë se është shumë herët për të rekomanduar dozën përforcuese për ata që tashmë janë vaksinuar kundër COVID-19, sëmundjes që shkakton ky virus./ REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *