Objektivi i atentatit në Vlorë sapo kishte dalë nga burgu

Nikollaq Çepaj, objektiv i atentatit të së shtunës në mbrëmje në Vlorë, ndodhet në gjendje kritike.
Ai mori 5 plumba, njërin prej të cilëve në kokë, nga breshëria e armëve në një lokal në lagjen “Bashkimi” në Vlorë.
36-vjeçari ndodhet në Spitalin e Traumës, ndërsa kunati i tij Roland Çepaj ndodhet në Spitalin e Vlorës jashtë rrezikut teksa plumbat e kapën në këmbë.
Nikollaq Çepaj, i cili dyshohet të ishte edhe objektivi i atentatit, kishte vetëm pak ditë që kishte dalë nga burgu. Ai ishte arrestuar në qershor të vitit 2018 për plagosjen me armë zjarri të Eraldo Lazajt brenda një lokali në lagjen “Pavarësia”.
Dy pistat që po hetohen deri tani janë prishja e pazareve të drogës ose hakmarrja. Mësohet se forcat e policisë kanë shoqëruar 10 persona për t’u marrë në pyetje lidhur me plagosjen.
Ndërkohë, në aksin e vjetër rrugor Vlorë-Fier u gjet një automjet i djegur, i cili dyshohet se ju përket autorëve të ngjarjes. Brenda bagazhit të mjetit tip “Benz” me ngjyrë të zezë është gjetur edhe arma me të cilën ndodhi krimi.





