Genc Maloku, babai i shoferit të ndjerë që mbeti i vdekur në atentatin që iu bë ish- prokurorit, Arjan Ndoja, dëshmoi në Gjykatën e Posaçme. Mes lotësh ai rrëfeu momentin e parë, kur i biri, Andi e kontaktoi pasi ishte plagosur me breshëri automatiku nga persona të paidentifikuar te mbikalimi i Shkozetit.
Genc Maloku: Ditën e ngjarjes isha në shtëpi, më mori vetë djali. “Jam keq o babë më tha, më kanë gjujt.” Ka qenë ora 4 e gjysmë, 5. Nuk e pashë orën tamam. Mendova se ishte shaka. Po ç’shaka? Në spitalin ushtarak shkova, te vendi i ngjarjes jo. Komunikova me djalin aty. Në automjet me djalin kanë qenë prokurori dhe Rrumi. Rrumi ishte akoma në spital, prokurori ishte më mirë, më erdhi te shtëpia. Pas 7 ditësh djali ndërroi jetë.
Pasi vdiq i biri, Genc Maloku thotë se ka takuar dy herë familjarë të Redjan Rrajës, që është dënuar përjetë për ngjarjen, ndërsa një moment tjetër ka marrë një mesazh kërcënues.
Genc Maloku: Mos keni konflikte gjëra, gjersa të zbardhet ngjarja. Këtë më thanë. Një javë pasi nuk ishte çuni më, ka ndodhur takimi. Takimi i parë është bërë në Tiranë. Takimi tjeter është bërë në Sukth. Biseda ishte, prit të dalë një herë e vërteta. Redjan Rraja ishte arrestuar. Pastaj më ka ardhur një mesazh, “Si shpesh shkon nga prokuroria. Më tha jam Plarent Dervishaj”. Është fakt ky, e kam denoncuar në komisariatin nr. 6.
Babai i Andi Malokut rrëfeu edhe se i ka dhënë ish-deputetit Halit Valteri një USB për ta paraqitur në kuvend. Ndërsa i përgjigjet edhe avokatit të Plarent Dervishajt, që është i pandehur nën dyshimet se ka porositur atentatin.
Genc Maloku: Ma sollën poshtë derës në një zarf USB-në, pak kohë pas ngjarjes. E hapa, ishte Redjan Rraja me kapele. Ishte dhe një qeros. Nuk kishte motiv pse të qëllohej djalin im. As Rrumi, asnjë njeri s’më intereson. Mua më ka ikur djali 23 vjeç. Ma kthen dot ti djalin? Ma kthen?! Normal që nuk ka qenë djali im objektivi.
Në fund situata mes të dyshuarit kryesor se ka urdhëruar atentatin dhe Genci Malokut u tensionua, ç’ka çoi në ngritjen e toneve mes të dyja palëve. Plarent Dervishaj u shpreh i keqardhur për humbjen e djalit 23 vjeçar, duke thënë se në atë ngjarje më të pafajshmit kanë qenë Andi Maloku e ish- prokurori, tashmë deputet i PD, Arjan Ndoja. Atentati ndaj këtij të fundit, të ashtuquajturit “Rrumi i Shijakut” dhe Andi Malokut ka ndodhur më 1 nëntor të 2019.





