Opozita bllokoi seancën e parë të parlamentit për këtë vit, duke mos lejuar as Presidentin e Republikës Bajram Begaj të përcjellë mesazhin e tij për klasën politike.
Në seancën ku morën pjesë edhe ambasadori i Britanisë së Madhe si dhe zv.ambasadori gjerman, opozita nuk përdori flakadanët apo barrikadat me karrige, por deputetët u ngritën të gjithë në këmbë në shenjë proteste ndaj mazhorancës, duke pamundësuar zhvillimin normal të seancës.
Për të penguar fjalën e kryetarit të shtetit deputetët përdorën edhe bilbila e zhurmues dhe për shkak të kësaj situate, presidenti as nuk hyri brenda në sallën e parlamentit
“I kërkojmë ndjesë presidentit të Republikës, për shkak të situatës së krijuar nga deputetët e opozitës pamundësohet që qytetarët të ndjekin fjalën e tij nga Kuvendi”, tha Nikolla.
Mes protestës se opozitës mazhoranca miratoi ndryshimet në qeveri dhe dy ministrat e rinj Blendi Gonxhe e Adea Pirdeni u emëruan me 73 vota pro.
Në fund të mbledhjes së parlamentit opozita pati si target të ri të luftës së saj, presidentin e republikës, i cili nuk arriti të mbante fjalën përshëndetëse për fillimin e sesionit parlamentar.
“Ky akt ishte një provokim i ulët i presidentit të republikës,. I bëj thirrje të heqë palë nga sjellja e tij si palë, si vartës i mazhorancës dhe të respektojë kolltukun ku është ulur. Nëse presidenti dëshiron të dalë hapur si vartës i Edi Ramës, atëherë do trajtohet si i tillë”, tha Bardhi.
Aksionit të opozitës nuk i është bashkua Lulzim Basha dhe 10 deputetët që e mbështesin. Basha sqaroi qëndrimin e tij para medias dhe gjatë kohës që ai fliste, deputetët demokratë që janë kundër tij përdorën zhurmuese
“Interesat e qeverisë nuk janë normaliteti politik, llogaridhënia dhe mbajtja e përgjegjësisë por vazhdimi i teatrit me skenarë dhe regji të Edi Ramës që pamundëson zërin e opozitës”, tha Basha.
Basha paralajmëroi zhvillime në lidhje me reformën zgjedhore dhe në këtë drejtim Enkelejd Alibeaj e Damian Gjiknuri i kanë dërguar një letër OSBE, duke i kërkuar asistencë për këtë reforme përmes ekspertëve të saj.