Ministrja e Arsimit, Evis Kushi njofton hapjen e të gjitha shkollave për mësimin parauniversitar të hënën.

Më 22 shkurt, theksoi Kushi, të gjitha shkollat që u mbyllën këtë javë për shkak të motit të keq, do t’i rikthehet skenarit të mëparshëm.

“Dua t’ju informoj që nga dita e hënë, datë 22 shkurt 2021, të gjithë do t’i rikthehemi skenarit të mëparshëm. Pra, mësimi në të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar, publik dhe jopublik, do të zhvillohet si më poshtë: – nxënësit e ciklit fillor (klasa 1 – 5) në shkollë; – maturantët në shkollë; – dhe nxënësit e klasave 6 – 11 sipas skenarit të kombinuar.”

Sakaq, sa iu përket shkollave të mesme që ndodhen ne zonat me risk të lartë, do të vazhdojnë mësimin online deri më 26 shkurt.

“Ndërkohë, shkollat e mesme që ndodhen në zonat me risk të lartë (Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamëz) do të vazhdojnë “online” deri më datë 26 shkurt 2021, sipas sugjerimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve. Gjatë këtyre ditëve kam pasur shumë mesazhe prej jush, me shqetësime të ndryshme, disa që kërkojnë kthimin në shkollë e disa të tjerë që i tremben situatës së pandemisë. Dua t’ju siguroj edhe një herë të gjithëve që vendimet tona bazohen në prioritetin absolut për shëndetin, sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve tanë. Prandaj, duke shprehur edhe një herë mirënjohjen e thellë për durimin që keni treguar këto kohë, dua të përsëris apelin e fortë që të gjithë së bashku të tregohemi sa më të kujdesshëm në respektimin e të gjitha rregullave të përcaktuara, brenda e jashtë shkollës, sepse vetëm kështu mund të ndihmojmë për të mos lejuar përhapjen e virusit. Ju uroj sa më shumë shëndet e suksese të gjithëve!”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *