“Komandantet” fitojnë zgjedhjet, PDK-AAK-Nisma marrin 34.3%
I ashtuquajturi “Koalicioni i luftës”, renditet i pari pas zgjedhjeve parlamentare të së dielës në Kosovë. Kur janë numëruar 91 përqind të votave, sipas rezultateve të publikuara nga KQZ, koalicioni PDK-AAK-Nisma ka marrë 34,3 përqind të votave, i ndjekur nga Lëvizja Vetëvendosje me 26,8 përqind dhe koalicioni tjetër i madh LDK-AKR-Alternativa që ka marrë 25,7 përqind të votave. Pjesëmarrja e votuesve në zgjedhje ishte në shifrën 42 përqind.
Pa u shpallur ende rezultatet paraprake koalicioni me kandidat për kryeministër, Ramush Haradinaj dhe Lëvizja Vetëvendosje nisën festimet, duke pretenduar se secila prej tyre ishte fituese e këtyre zgjedhjeve. Për Haradinajn, zgjedhjet ishin më të mirat te realizuara deri tani në Kosovë. Ndërsa kandidati i Vetëvendosjes, theksoi se kjo forcë është partia e parë dhe do t’i mbajë premtimet e bëra.
E ndërsa këto dy forca festonin, LDK-AKR-Alternativa theksoi se do të priste rezultatin e zgjedhjeve. Kryeministri në ikje, Mustafa bëri një koment vetëm gjatë mëngjesit të sotëm. Në rrjetet sociale ai tha se partia e tij, e cila për herë të parë ka dalë e treta në zgjedhje, do të reflektojë mbi rezultatet pas certifikimit të tyre. Një reagim erdhi edhe nga presidenti Thaçi, cili u shpreh se pret që fituesi i zgjedhjeve të formojë një qeveri europiane. Procesi zgjedhor që zgjoi interes të madh për shkak edhe të numrit të lartë të vëzhguesve, u zhvillua i qetë dhe pa incidente.




