Nuk ka vendim për kërkesën e Ilir Metës për t’u liruar nga burgu. Avokati i tij, Kujtim Cakrani, kërkoi që seanca të shtyhet, pasi Erion Bani nuk është gjyqtari i çështjes “Meta”. Për shkak se kolegu i tij, Erion Çela, nuk ishte i pranishëm, si edhe tre prokurorët që e hetuan – Altin Dumani, Arben Kraja dhe Sotir Kllapi – togat e zeza e shtynë vendimin për javën e ardhshme dhe shpallën moskompetencë në gjykimin e çështjes.
“Nuk kemi gjë me gjyqtarin Erion Bani. Brenda muajit tetor do të ketë vendim nga Gjykata Kushtetuese. Ne duam të zhvillojmë procesin në mënyrë të rregullt, me gjyqtarin që ka ndjekur hetimet, pse jo edhe me prokurorët që kanë hetuar këtë çështje. Jemi në pritje që javën tjetër, kur të kthehet nga pushimet z. Çela, do të zhvillojmë seancën siç e parashikon ligji procedural. Z. Meta do të lirohet, sepse nuk ka më asnjë arsye pse ta mbajnë në paraburgim.”, u shpreh avokati.
Ilir Meta e kërkoi lirinë me argumentin se nuk ekziston mundësia e prishjes së provave, tashmë që hetimet janë mbyllur. Avokati i tij, Kujtim Cakrani, i ka kërkuar Gjykatës së Posaçme, në alternativë të lirimit, bllokimin e pasaportës së ish-presidentit. Cakrani thotë se kjo do të jetë garanci për prokurorët që ai nuk do të largohet nga vendi dhe do t’i nënshtrohet gjykimit.
Megjithatë, ish-kreut të shtetit do t’i duhet të presë edhe një javë në paraburgimin e 313, në Tiranë, për të mësuar nëse kërkesa e tij do të merret parasysh apo jo.
/vizionplus.tv





