Subscribe

Besart Capa është njëri nga studentët e vitit të parë në degën e Historisë, një program që po tërheq gjithnjë e më pak vëmendjen e të rinjve. Pasioni e ka ndihmuar të ketë idetë e qarta për zgjedhjen e tij ndërsa për të ardhmen po punon fort që të bëhet historian.

 

BESART CAPA

STUDENT

 

“Familja ime nuk më ka imponuar, më ka lënë të lirë të zgjedh edhe pse dëshira e tyre ishte që unë të zgjidhja një profil shkencor psh.tek mjekësia ose inxhinieria. Është dega e parë që kam hedhur sepse që në vit të parë këtë qëllim kam patur. Ka patur raste të profesorëve që më kanë thënë se duhet të zgjedh inxhinierinë ose diçka që ka treg pune. Por unë kam vendosur që të bëhem historian dhe të thellohem në metodologjinë shkencore.”

 

Nëse e pyesim për mësuesinë, ngurrimi është i qartë.

 

“Edhe e kam menduar por realisht nuk është se e kam prioritet. Nëse i propozon dikujt që të bëhet mësues, ngurron sepse është krijuar koncepti që është një profesion i rëndomtë edhe pse në të vërtetë është ndër më të bukurit. Sot rinia po i mësyn profesioneve që sigurojnë shumë të ardhura në një kohë të shkurtër. ”

 

Përgjegjësja e departamentit të Historisë në Universitetin e Tiranës, Valentina Duka, shprehet se mund të përballemi edhe me mungesën e mësuesve të historisë, ndërsa numri i studentëve për disa arsye, vjen gjithnjë e në rënie.

 

VALENTINA DUKA

PËRGJEGJËSE E DEPARTAMENTIT TË HISTORISË, UT

 

“Këto vitet e fundit ne nuk i kemi kaluar më shumë se 30 studentë në vit dhe kjo po ndodh në Universitetin e Tiranës sepse pothuajse në të gjitha universitetet rajonale po mbyllen degët e Historisë. Por këta 30 studentë që kemi në vit të parë  jo domosdoshmërisht bëhen mësues pas tre vjetësh. Ata mund të ndjekin masterin shkencor të Historisë, Marrëdhënieve ndërkombëtare, arkivistikës ose mund të shkojnë jashtë për një master tjetër.”

 

Duke marrë në konsideratë prirjet e nxënësve dhe zgjedhjet që ata bëjnë, sugjerohet një reformë kurrikulare në mënyrë që informacioni të jetë më i përmbledhur dhe të mos mungojë cilësia.

 

“Tekstet e Historisë në gjimnaze janë alternative dhe janë shumë të mira. Ka rreth 10 vjet që nuk është bërë reforma e re kurrikulare, ka ardhur koha që të bëhet, librat e historisë të jenë më të përmbledhur në mënyrë që gjimnazistët ta perceptojnë dhe asimilojnë më lehtë historinë e Shqipërisë por sa të vijmë të reforma kurriulare mendoj se rruga më e shpejtë është rikthimi i historisë në vitet e fundit nga lëndë me të zgjedhur në lëndë bërthamë. ”

 

Historia, Gjeografia, Arsimi fillor dhe ai parashkollor si dhe Gjuha e Letërsia janë disa nga programet që i’u shtuan këtë vit, listës së programeve që janë shpallur prioritet kombëtar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *