Opozita tentoi pa sukses që seancën e fundit të parlamentit, ta shndërronte në një seancë debati për çështjen e inceneratorëve dhe ish-numrin dy të qeverisë, Arben Ahmetaj.
Shumica socialiste rrezoi në konferencën e kryetarëve kërkesën e liderit të opozitës, Sali Berisha, për të zhvilluar një mocion me debat dhe kërkesën e kryetarit të grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, për interpelancë me kryeministrin Edi Rama për çështjen e inceneratorëve.
TONI GOGU
DEPUTET, PS
“Ne besojmë fort se aty nuk ka përmbajtje. Çdo veprim tjetër këto urgjencat janë ose brenda grupeve, por për Kuvendin e Shqipërisë mendoj se urgjenca janë pensionet, studentët, shërbimi mjekësor. “
GAZMENT BARDHI
KRYETAR I GRUPIT PARLAMENTAR, PD
” Fakti që dy mafiozë në arrati të inceneratorëve marrin pagesa çdo ditë për punë ta pakryera, nuk është një çështje urgjente për ta. “
Sipas mazhorancës, parlamenti ka vënë në lëvizje çdo mekanizëm për çështjen e inceneratorëve, duke nisur nga komisioni hetimor tek votimi pro kërkesës së prokurorisë për imunitetin e socialistit Arben Ahmetaj dhe dy kërkesat e opozitës mund të plotësohen edhe në shtator, kur parlamenti të rimblidhet në shtator.
TONI GOGU
“Nuk kemi asnjë lloj frike për të bërë debat. Besoj si parlamentar, janë çështje që po i heton drejtësia.”
GAZMENT BARDHI
“Shnderrimi I parlamentit nga nje parlament qe mbron interesin qytetar ne nje dyqan personal qe financon arratine e klodian zotos e mirel mertirit eshte I papranueshem. “
Për shkak të mungesës së konsensusit në konferencën e kryetarëve, kërkesat e opozitës do të hidhen në votim të enjten në fillim të seancës, por nuk priten surpriza, pasi demokratët nuk kanë numrat për të imponuar ndryshim të rendit të ditës. Në këtë seancë, që është e fundit para se deputetët të nisin pushimet, do të votohen edhe dy projektligje që janë shoqëruar me debate të ashpra, legalizimi i kanabisit për qëllime mjekësore dhe ligji që detyron studentët e mjekësisë të punojnë 5 vite në Shqipëri.





