Subscribe

Shkaku i helmimit të 1.062 personave në Deçan të Kosovës duket se nuk është uji i pijshëm. Lajmin e ka bërë të ditur, Adnora Nurboja nga Instituti Kombëtar i Shëndetit, e cila tha për mediat vendase se analizat mikrobiologjike të mostrave treguan se uji nuk është i infektuar. Por pavarësisht këtyre rezultateve, Nurboja theksoi se ata do të marrin sërish mostra të ujit për testim.

 

Ndërkohë numri i qytetarëve që po kërkojnë ndihmën mjekësore në qendrat spitalore është në rritje.

 

SELMON BERISHA

DREJTOR I QENDRËS SË MJEKËSISË FAMILJARE

“Gjatë 24 orëve të fundit, 310 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore, pasi kanë pasur simptoma të helmimit.Ndërsa, që nga data 10 deri më 14 (korrik) janë gjithsej 1062 pacientë. Prej ora 07:00 deri në 11:00 janë 55 pacientë.”

 

Qëveria e Kosovës, sipas deputetes e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj po punon intensivisht për të gjetur shkakun ndersa theksoi se kjo është hera e parë që shfaqet helmimi masiv në Deçan.

 

TIME KADRIJAJ

DEPUTETE E AAK-së

“Është shqëtësues fakti që analizat e ujit dolën negative, domethënë se helmimi nuk është shkaktuar nga uji. Kemi patur helmime në grupe, ku një grup njerëzish janë infektuar nga ushqimi në një restorant. Por asnjëherë helmim masiv siç po ndodh sot.”

 

 

Qindra qytetarë në Deçan kanë kërkuar ndihmë mjekësore që nga e shtuna në urgjencën e kësaj komune. Dy pacientë humbën jetën ndërsa ishin të shtruar, por ende nuk dihet nëse shkak u bë helmimi. Është ekspertiza mjeko ligjore ajo që do të nxjerrë rezultatet përfundimtare.

 

Një ditë më parë presidentja e Kosovës Vjosa Osmani hodhi dyshime për burimin e helmimit masiv, duke kërkuar një hetim të plotë të rastit, pasi nuk përjashtohet mundësia që ai të ketë qenë i qëllimshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *