Pak minuta pasi KQZ shpalli rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, kryetari i PD Sali Berisha përsëriti se opozita nuk do ta njohë rezultatin e 11 majit. Gjatë një konference me gazetarë Berisha theksoi se 11 maji nuk reflekton vullnetin e qytetarëve shqiptarë.
“Nuk i njeh zgjedhjet, kemi deklaruar. Përfaqësuesit tanë mbajtën një qëndrim dinjitoz në komision. Shprehën mendimet, këto ishin një farsë e vërtetë elektorale”, tha Berisha.
Gjatë komunikimit të sotëm me gazetarët, Berisha përshëndeti qëndrimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump për të hetuar miliarderin George Soros.
“Thirrja ime për qeverinë e SHBA dhe Kongresin e SHBA, thirrja ime për FBI-në, të shtrijnë hetimet e tyre për George dhe të birin edhe në Shqipëri gjatë 20 viteve dhe do gjejnë se si ata përdorën çdo lloj influence kundër një force politike në favor të ekstremit të majtë të Edi Ramës, bashkëshortes së tij dhe ish-bashkëshortes së tij, të gjitha drejtuese kryesore në fondacionin Soros, të ushqyera me miliona nga ky fondacion. Iu bëj thirrje që duke përdorur aktin RICO, të hetojnë çdo veprim të George Sorosit në të ashtuquajturën reformë kushtetuese dhe të drejtësisë, me të cilën kanë garantuar sot një pushtet që kontrollon mbi 95 për qind të çdo gjëje në këtë vend. Praktikisht pothuajse një monizëm të plotë”, tha ai.
Por Berisha shmangu komentet për sanksionet e vendosura ndaj tij nga SHBA, e cila vazhdon ta ketë “non grata” liderin e opozitës.
“Tani, ditë e madhe në histori. Personi që loboi për ‘non gratën’ time subjekt i RICO-s. Si të duket ty. Ja shife”, deklaroi kreu i PD.
Të mërkurën, presidenti amerikan Donald Trump në rrjetin e tij social Truth, shkroi se Soros dhe i biri duhet të ndiqen penalisht sipas ligjit RICO, një ligj federal amerikan ky që përdoret për të ndjekur organizatat kriminale.





