Subscribe

Pas takimit të nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti, presidentit Aleksandër Vuçiç me të dërguarit e lartë të BE-së është publikuar për herë të parë propozimi europian, për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. BE ka zbardhur propozimin, i cili përmban 11 pika që të dyja palët do t’i zbatojnë, pasi ranë dakord një ditë më parë.

 

Edhe pse në planin europian nuk përmendet në mënyrë direkte njohja reciproke, dokumenti parashikon respektimin e integritetit territorial dhe si pasojë paprekshmërinë e kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe dokumenteve zyrtare.

 

Vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe institucionet e tjera ndërkombëtare, ku theksohet se asnjëra nga palët nuk duhet të pengojë palën tjetër në integrim.

 

Po ashtu, plani përfshin edhe bashkëpunimin mes dy vendeve në fusha të ndryshme, përfshirë ekonominë, shkencën dhe teknologjinë.

 

Në pikën 3 thuhet se të dyja vendet do të duhet të angazhohen që të gjitha mosmarrëveshjet të zgjidhen në mënyrë paqësore. Por pika 7, është ajo që ka shkaktuar përplasje mes Prishtinës dhe Beogradit dhe që ka të bëjë me krijimin e asociacionit për komunat me shumicë serbe në Kosovë.

 

 

“Të dyja palët do të angazhohen për arritjen e marrëveshjeve konkrete, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe përdorimin e përvojave ekzistuese evropiane, në mënyrë që të sigurohet një nivel i duhur i vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësia e ofrimit të shërbimeve. Kosova, në disa fusha specifike, duhet te perfshije mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia dhe kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit ndërmjet komunitetit serb dhe Qeverisë së Kosovës.

Palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të sigurojnë një nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.”

 

Në takimin i cili zgjati 2 orë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe president i Serbisë Aleksandër Vuçiç ranë dakord për zbatimin e këtij plani.

 

Në një deklaratë për shtyp, Albin Kurti tha se ishte i gatshëm të firmoste edhe marrëveshjen, por pala tjetër nuk tregoi të njëjtën gatishmëri.

 

Nga ana tjetër, kreu i shtetit serb deklaroi se u dakordësua me kryeministrin e Kosovës, për të vazhduar bisedimet edhe në të ardhmen.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *