Një ditë pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes së pensioneve me Italinë, një shtetas shqiptar ka bërë aplikimin e parë në portalin e-Albania, duke kërkuar bashkimin e periudhave të kontributeve.
Kreu i sigurimeve, Astrit Hado tha se dy zyrat e sigurimeve shoqërore në Shqipëri dhe Itali do të shkëmbejnë informacion në mënyrë elektronike, ndaj nuk është e nevojshme që individët të kërkojnë dokumente për t’i dorëzuar në vendet përkatëse.
“Dua t’i them qytetarëve të interesuar se ne komunikojmë me zyrat italiane në kohë reale me një sistem elektronik. Çdo dokument si nga pala italiane dhe nga pala shqiptare do të kalojë nëpërmjet këtij sistemi. Ndaj nuk është e nevojshme që të kërkoni apo të aplikoni për dokumenta fizikë për t’i dorëzuar në zyrat përkatëse. E vetmja që do të bëni është plotësimi i formularit në mënyrë sa më të saktë”, tha Hado gjatë një komunikimi për shtyp.
Parimi i marrëveshjes është që një individ që nuk ka plotësuar vitet për pension sipas legjislacionit shqiptar dhe italian, tashmë ka mundësinë e bashkimit të periudhave.
“Në qoftë se një qytetar shqiptar ka 14 vjet në Shqipëri dhe 19 vjet kontribute në Itali nuk e merr pensionin në asnjë vend pasi nuk plotëson kriterin ligjor në asnjë shtet. Atëherë bashkimi i periudhave e vendos në kushte ligjore në të dy vendet”, tha Hado.
Por si do të llogaritet në finale pensioni për qytetarët përfitues?
“Kur vjen puna te llogaritja e pensioneve ne do ta llogarisim pensionin bazuar në ligjin shqiptar vetëm për 14 vitet që ka paguar në Shqipëri dhe Italia vetëm për 19 vitet që ka atje. Pra të mos keqkuptohen shqiptarët që vitet e punës që kanë në Itali do përdoren për llogari edhe këtu edhe atje ose e kundërta. Jo do bashkohen periudhat e kontributive vetëm për të plotësuar kriteret ligjore dhe secili vend do llogarisë pensionet sipas ligjit të vet bazuar në vitet e sigurimit që ata kanë në vendin e vet”, sqaroi drejtori.
Aplikimet duhet të bëhen vetëm nga ata që kanë mbushur moshën për pension pleqërie 67 vjeç për burrat dhe 65 për gratë./vizionplus.tv