Njerku dhunon rëndë 3-vjeçarin, por ai e mohon: Ra nga divani
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur para pak ditësh në zonën e Kamzës në Tiranë, ku një 35-vjeçar ka dhunuar barbarisht fëmijën e mitur të bashkëjetueses së tij.
Alfred Kazanxhi akuzohet se ka goditur djalin 3-vjeçar duke i shkaktuar fraktura të rënda. Gjykata e Tiranës ka dhënë masën arrest me burg për 35-vjeçarin i cili rrezikon nga 10 deri në 20 vite heqje lirie.
I mituri aktualisht është në gjendje të rëndë në Spitalin e Pediatrisë në QSUT. Sipas mjekëve fëmija wshtw me politraumë, hemotoraks bilateral dhe frakturë të brinjëve.
Vogëlushi është dërguar më 24 prill në Spital nga nëna dhe bashkëjetuesi i saj, ndërsa sipas mjekëve gjendja ishte shumë e rëndë me shenja dhune dhe fraktura në gjithë trupin. Më pas ai është dërguar për trajtim të specializuar tek pediatria në QSUT. Aktualisht fëmija është me aparate të vendosura për monitorimin e oksigjenit dhe frekuencës kardiake.
Alba Hoxha, e ëma e të miturit ka deklaruar para policisë se kishte dalë për të blerë ushqime, kur i ka telefonuar bashkëjetuesi dhe i ka thënë që djali ka rënë nga divani dhe është rëndë. Në momentin që është rikthyer ajo ka gjetur djalin pa ndjenja.
Ndërkohë 35-vjeçari ka mohuar akuzat duke thënë se fëmija është rrëzuar nga divani dhe në momentin kur e ka parë të shtrirë pa ndjenja i ka hequr rrobat dhe është munduar ti jepte ndihmën e parë.
Çifti ishte njohur para një viti kur kishin nisur edhe bashkëjetesën. Ata prej dy muajsh jetonin me qera në Bulevardin Blu në Kamëz.





