Subscribe

Protesta e 8 janarit e një viti më parë ishte një prej ngjarjeve më të pazakonta politike. Për më shumë se 3 orë selia e Partisë Demokratike u shndërrua në një shesh beteje mes Lulzim Bashës dhe mbështetësve të tij, që kishin blinduar dyert e godinës së PD dhe Sali Berishës dhe mbështetësve të tij, të cilët synonin të merrnin selinë e Partisë Demokratike.

 

Përplasja fizike mes dy grupeve të demokratëve mori fund vetëm pas ndërhyrjes së forcave të policisë,  të cilat për herë të parë hynë në selinë e një force politike.

 

 ASTRIT PATOZI

 

“BINDJA DEMOKRATIKE”

“Është historia më e palavdishme e pluralizimit politik në Shqipëri ku brenda një force politike gati shpërtheu një luftë civile, e cila përfundoi në ndarjen faktike të kësaj partie”.

 

Sot  në selinë e PD është vendosur Sali Berisha si kryetar i kësaj force politike, ndërsa grupimi tjetër është zhvendosur në ambientet e parlamentit, por çarja vetëm sa është thelluar. Në këtë situatë, astrit patozi, i cili për më shumë se 6 vite ka qenë nënkryetar i PD dhe sot është pjesë e “Bindjes Demokratike” vë në dukje se mundësitë e opozitës për të fituar betejën zgjedhore të 14 majit janë të pakta.

 

 

“Panorama apo perspektiva politike e opozitës në tërësi për shkak të PD është e zymtë. Por ne nuk kemi çfarë t’i bëjmë kësaj pune, ne nuk duhet ta kthejmë kokën pas, ne duhet të lemë pas 8 janarin, 6 marsin e këto datat e tjera për shkak se është një taksë që Partia Demokratike duhet ta paguajë dhe e gjithë opozita në përgjithësi për shkak të PD. Ne duhet të ecim përpara  duke parë të gjitha mundësitë që të lejon terreni në 14 maj.”

 

Sipas Patozit ata që mund ta bëjnë ndryshimin janë qytetarët, por jo për shkak të vizionit politik të Partisë Demokratike dhe opozitës në përgjithësi.

 

“Ajo që unë kam më shumë shpresë është instinkti ekuilibriues që ka vetë zgjedhësi shqiptar, vetë populli opozitar për të mos lejuar këtë disproporcion mes pushtetit dhe opozitës në Shqipëri. Sepse me thënë të drejtën vizion politik dhe filozofia politike e PD por ndoshta edhe e të gjithë të tjerëve që janë sot në opozitë  nuk lë shumë për të shpresuar.”

 

Prej shtatorit të vitit 2021 Partia Demokratike është përfshirë në një luftë të brendshme mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, betejë që nuk përfundoi edhe pasi Basha dha dorëheqjen dhe Sali Berisha u zgjodh në krye të Partisë Demokratike. Nëse të dy palët nuk arrijnë të gjejnë gjuhën e kompromisit atëherë në 14 maj Partia Demokratike do të garojë me dy kandidatë dhe çarja e votave mund të minojë mundësitë e opozitës për fitore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *