Vaksina e re e Kolegjit Baylor të Mjekësisë është 90% e efektshme kundër koronavirusit fillestar dhe 80% e efektshme kundër variantit Delta. Të dhënat për variantin Omicron nuk janë përpiluar ende.

 

Vaksina ka gjithashtu kosto të ulët, mund të qëndrojë në temperatura normale frigoriferike dhe mund të prodhohet me lehtësi në vendet në zhvillim, thotë drejtuesi i ekipit të shkencëtarëve, Dr. Peter Hotez.

 

“Kjo vaksinë përmbush të gjitha parakushtet që do të duheshin për një vaksinë të shëndetit global”, thotë ai.

 

Dr. Hotez dhe kolegët e tij përdorën teknologjinë e vjetër dhe të sprovuar për prodhimin e vaksinave ndaj sëmundjeve të neglizhuara tropikale, me të cilat nuk kanë prirje të merren kompanitë e mëdha farmaceutike. Kjo teknologji është më e disponueshme edhe për prodhuesit e vaksinave në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

 

“Prandaj isha i dekurajuar në fillimet e pandemisë, pasi të gjithë po përqëndroheshin tek teknologjitë e reja. E dija që do të bëhej pengesë”, thotë Dr. Hotez.

 

Vendet e pasura investuan tek prodhimi i vaksinave të teknologjisë së re. Tashmë rreth 80% e njerëzve në vendet me të ardhura të larta janë të vaksinuar. Por, vetëm 10% e popullsisë është vaksinuar në vendet me të ardhura të ulëta.Dr. Hotez dhe kolegët e tij po e bëjnë vaksinën të disponueshme pa patur nevojë për patentën e pronësisë intelektuale. Ai thotë se të drejtat e pronësisë intelektuale vetëm shndërrohen në pengesë gjatë një krize globale.

 

“Nëse në shtëpi ka rënë zjarri dhe mund të bësh vetëm një telefonatë, nuk do të marrësh një avokat të pronësisë intelektuale. Do marrësh zjarrfikësit. Ne jemi zjarrfikësit”, thotë ai.

 

Qeveria indiane i dha autorizimin vaksinës dhe kompania indiane Biological-E po prodhon miliona doza në muaj me emërtimin Corbevax. Kompanitë në Indonezi, Bangladesh dhe Botsvana po përgatiten gjithashtu ta fusin këtë vaksinë në linjën e prodhimit.

 

Nuk është megjithatë e qartë nëse vaksina Corbevax do të ketë të njëjtën efektivitet, si vaksinat e teknologjisë së re, thotë eksperti i vaksinave në Universitetin Johns Hopkins, Dr. William Moss.

 

“Vaksinat Sinopharm, Sinovac, janë të teknologjisë së vjetër. Nuk po japin mbrojtjen e duhur ndaj Omicron-it. Efektshmëria u bie shumë”, thotë ai.

 

 

Furnizimi me vaksina në mbarë globin po përmirësohet. Programi COVAX i mbështetur nga OKB-ja, ka shpërndarë deri më tani mbi 1 miliard vaksina. Kompanitë e mëdha farmaceutike kanë premtuar miliarda doza këtë vit. Dhe vaksina të reja po hyjnë në treg. Por nëse i rezistojnë varianteve të reja, vaksinat me kosto të ulët, si Corbevax, mund të vazhdojnë të jenë të dobishme, pasi COVID-19 do të jenë me ne për disa vite në vazhdim, thotë Dr. Moss.

“Do të zhvendosemi drejt fazës endemike dhe vaksinimit rutinë. Atëherë mund të luajnë rol këto lloj vaksinash”, thotë ai.

 

Ekspertët thonë se një vaksinim i rregullt kundër disa varianteve të COVID-19 mund të bëhet pjesë e regjimit tonë në të ardhmen. Dhe kostoja më e ulët, do ta bënte edhe më të lehtë këtë proces./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published.