Përfundon në fazën e 1/16 përralla e klubit më shumë se modest Espali në Francë. Skuadra e kategorisë së pestë u mund 4 me 2 nga PSG. Por përtej këtij rezultati, lajm në këtë ndeshje veçanërisht për ne, ishte goli që i shënoi parisienëve sulmuesi shqiptar Kevis Gjeci. 28 vjeçari që jeton dhe punon në këtë lokalitet të vogël mes Lionit dhe Marsejes, që vetë ka luajtur me të rinjtë e Tiranës dhe me Sopotin e Librazhdit, do të mbaj mend gjatë duelin e kupës së Francës kundër rivalëve gjigand të PSG. Që në minutën e 3 pas një krosimi nga e majta ai shënoi me kokë në portën kundërshtare.
Megjithëse miqtë përmbysën gjithçka me anë të Zaire Emeri, Barkola, Due dhe Gonçalo Ramos , për Kevis Gjecin e mërkura e 15 janarit 2025 do të mbetet gjatë në memorie.
Ndërkohë në Kupën e mbretit në Spanjë, Barcelona dhe Atletiko Madrid nuk patën problem që të avanconin më tej. Katalanasit mundën thellë 5 me 1 Betis duke siguruar një biletë për në fazën e 1/8. Gavi dhe Kunde shënuan në pjesën e parë për të zotët e shtëpisë ndërsa në pjesën e dytë goleadë e blaugranave u vulos nga Rafinja, Ferran Torres dhe Lamin Jamal. Sukses i lehtë edhe për Atletiko Madrid që mundi 4 me 0 në transfertë Elcen, falë dy golave të shënuar nga Sorlot në pjesën e parë dhe Rikelmen së bashku me Alvarez në pjesën e dytë.